LAJMET E MBRËMJES

Ish-këshilltari ligjor në UNMIK: Çeku u prezantua si shef i Shtabit, Thaçi si një prej komandantëve

Dëshmitari Hansjoerg Strohmeyer, ish-këshilltar ligjor në administratën e UNMIK-ut, ka dëshmuar të hënën në rastin më të madh të Speciales. Ai ka deklaruar se Thaçi i ishte prezantuar si një prej komandantëve të UÇK-së

Hansjoerg Strohmeyer, këshilltar ligjor në kohën kur u vendos administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë -  UNMIK, ka dëshmuar të hënën në rastin ku po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. 

Dëshmitari Strohmeyer tha se para ardhjes së tij në Kosovë nuk kishte marrë ndonjë informatë nga Kombet e Bashkuara lidhur me strukturën dhe organizimin e UÇK-së. 

E lidhur me Hashim Thaçin, për të cilin prokuroria pretendon se ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm, ai tha se iu prezantua si njëri prej komandantëve të UÇK-së.

“Kur i thoshim që duhet ta shmangni dhunën, mos krijoni gjykata, këtë ua kemi thënë të njëjtëve persona që thoshin se jemi ne udhëheqësit politikë, asnjëherë nuk thanë që ne nuk kemi personat përgjegjës për këtë, por merrnin përsipër se do t’i kryenin veprimet që ne ua kërkonim. Pra ne, nuk kishim arsye të besonim se ishin përgjegjës për organizatën dhe e përmenda më herët në një dokument që ma treguan, ka qenë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për shembull, që ishte Agim Çeku, kështu u prezantua të paktën, dhe Hashim Thaçi u prezantua po ashtu si një komandant i UÇK-së”, tha Strohmeyer.

Dëshmitari shtoi se nga bisedat në terren erdhi në përfundimin se Hashim Thaçi kishte pushtet.
“Pra, e kemi në bazë të komunikimeve që i kemi pasur në Kosovë dhe në bazë të prezencës sonë fizike atje, pra në bazë të kësaj ne supozonim se kishte një strukturë komande dhe kontrolli nga këta persona dhe këta persona ushtronin disa role në këtë strukturë”, tha Strohmeyer.

Avokati mbrojtës Luka Mishetiq e pyeti dëshmitarin lidhur me një rast kur Hashim Thaçi shkoi t’i shpërndante shqiptarët që po qëndronin në Urën e Ibrit, që ndante Mitrovicën, bashkë me komandantin e atëhershëm të KFOR-it, si dhe për deklaratat e tij se dëshiron Kosovë multietnike. 
Ai i konfirmoi se Thaçi, edhe shkaku i insistimit të ndërkombëtarëve, bënte thirrje për qetësi dhe Kosovë ku respektohen komunitetet pakicë.

“A e pranoni që ky është një shembull që z. Thaçi ka promovuar një zgjidhje paqësore dhe nuk ka kërkuar asnjëherë të ketë situata kaotike?” – pyeti Mishetiq. 

“Ua thashë edhe më herët. Zotëri Thaçi edhe në raste të tjera ka bërë thirrje të tilla, është shembull, sigurisht se si ai ka luajtur një rol shumë të dobishëm, shumë të frytshëm, të paktën për ta zgjidhur situatave të këtilla, të paktën në planin afatshkurtër”, tha dëshmitari. 

Në dëshminë e tij në Prokurori, dëshmitari ka deklaruar se UÇK-ja synonte që të mos kishte serbë në Kosovë. E para gjykatës ai e sqaroi këtë deklaratë, duke thënë se e kishte fjalën kryesisht për forcat dhe administratën serbe.