LAJMET E MBRËMJES

Ish-gardiani serb dënohet për krime lufte

I akuzuari për krime lufte, Dragisha Milenkoviq, u dënua me 7 vjet burgim dhe me gjobë prej 1.500 eurosh. Prokuroria Speciale e akuzon atë për krime lufte – keqtrajtim të civilëve shqiptarë në Burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit

Është dënuar për krime lufte ish-gardiani serb, Dragisha Milenkoviq. Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar atij shtatë vjet burgim dhe 1.500 euro gjobë.

Trupi gjykues i kryesuar nga Kujtim Krasniqi dënimin me burgim ia shqiptoi pasi e shpalli fajtor për keqtrajtim të civilëve shqiptarë në Burgun e Prishtinës dhe në atë të Lipjanit. 

Milenkoviqit iu shqiptua dënimi me burgim për krime lufte, kurse për mbajtje në pronësi të armës iu shqiptua gjobë. 

“Gjykata fillimisht i shpall dënimet për veprat penale ‘krime lufte kundër popullatës civile’ nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Jugosllavisë, e gjykon me dënim me burgim prej shtatë vjetësh. Ndërsa për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit të Republikës së Kosovës e gjykon me dënim me gjobë në shumën prej 1.500 eurosh. Gjykata të pandehurin e gjykon me dënim prej shtatë vjetësh dhe dënim me gjobë me shumën prej 1.500 eurosh si dënim unik”, ka thënë gjyqtari Krasniqi. 

Gjykata i referoi të dëmtuarit në kontest civil, ndërsa nxori edhe vendim për konfiskim të armës që iu gjet të pandehurit kur u bastis. 

Konfiskohet revolja e modelit ‘Crvena Zastava’ e modelit 99 2x50 fishekë, dy karikatorë me 15 fishekë, 6 fishekë, një thikë sox e konfiskuar nga i akuzuari Dragisha Milenkoviq”, ka thënë gjyqtari Krasniqi. 

Më 26 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e pati ngritur aktakuzën kundër Milenkoviqit për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, si dhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori special, Atdhe Dema, thuhet se Milenkoviq, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe atij të Lipjanit së bashku me disa zyrtarë të tjerë serbë kanë keqtrajtuar të burgosur shqiptarë.

Milenkoviqi është akuzuar se gjatë periudhës prej 24 maj të vitit 1999 deri në datën 10 qershor të vitit 1999, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në atë të Lipjanit, kanë formuar një kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar të kalonin përmes atij kordoni, i kanë rrahur të burgosurit me mjete të forta, pas kësaj, në mënyrë sistematike janë keqtrajtuar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore.

Ramadan Nishori, i cili e shpalosi në publik rrëfimin e tij për dhunën seksuale gjatë luftës, ishte një nga dëshmitarët në këtë proces gjyqësor.