Ish-arkëtari i Bashkësisë Islame, Bahri Rexha, i cili fillimisht është dyshuar për keqpërdorim të 166 mijë eurove, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj shtatë personave, përfshirë zyrtarët më të lartë të BIK-ut, duke i akuzuar se ata kanë keqpërdorur këto mjete. Ai pretendon se këto fonde, të mbledhura nga besimtarët në emër të anëtarësisë dhe bamirësisë, janë shpërdoruar nga drejtuesit e BIK-ut. Rexha po ashtu tha se është kërcënuar për të mos e bërë publike këtë çështje
Kallëzim penal ndaj 7 personave, përfshirë zyrtarët më të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), ka dorëzuar Bahri Rexha, ish-arkëtar në këtë institucion fetar, lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e 166 mijë eurove, të mbledhura kryesisht nga besimtarët islamë në emër të anëtarësisë dhe bamirësisë.
Rexha tha të hënën se ka pranuar telefonata kërcënuese nga ata që ai i quajti të porositur nga myftiu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, me kërkesën për ta heshtur rastin.
“Edhe dje kam pasur shumë telefonata ku më është thënë ‘mos e ço më gjatë’, në njëfarë mënyre apo ‘hesht, ngase do të bëhet më keq për ty’. Por edhe më herët para se të fillonte emisioni i parë i debatit, mua më është thënë që ‘nëse ia do të mirën vetes dhe familjes tënde... kërkoj falje’. Me të vërtetë vite shumë të vështira kanë qenë për mua”, ka thënë Rexha.
Më 6 qershor 2023, BIK-u kreu auditim të brendshëm, ku pretendohet se u gjetën prova për keqpërdorimin e 166 mijë eurove nga ish-arkëtari Rexha.
Por avokati i Rexhës, Kastriot Feka, të hënën, para objektit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, tha se keqpërdorimi është kryer nga vetë udhëheqësit e Bashkësisë Islame, përfshirë myftiun Tërnava, kryetarin e Këshillit të BIK-ut në Prishtinë, Hetem Sopjani, zëvendëskryeimamin Idriz Xhigoli, kryetarin e BIK-ut për Fushë-Kosovë, Pajazit Tërnava dhe tre përfaqësues të bizneseve.
Avokati Feka u shpreh se ndonëse klienti i tij e ka ditur për keqpërdorimin, rastin nuk e ka paraqitur nga frika.
“Nuk e ka kursyer, e ka kursyer në pjesën që është besimtar mysliman por ka pasur frikë, siç e tha edhe sot edhe më herët, duke e njohur fuqinë apo pushtetin suprem mbi 25 vite nëse mund t’i quajmë ashtu personat e paprekshëm në këto pozita, e ka pasur të pamundur. Edhe sot është tejet i frikësuar”, ka deklaruar Feka.
KOHA ka kontaktuar të hënën me përfaqësuesin ligjor të Bashkësisë Islame, Florim Shefqeti. Sipas tij, sqarimet lidhur me çështjen janë dhënë të dielën në konferencën për media dhe shtoi se prokuroria do t’i vërtetojë pretendimet se Rexha ka keqpërdorur mjetet e BIK-ut.
Të dielën BIK-u në Prishtinë ka hedhur poshtë akuzat për keqpërdorim të mjeteve që mblidhen nga anëtarësia, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet e ish-arkëtarit Rexha të bëra në emisionin “Betimi për Drejtësi” që transmetohet në KTV.
Në konferencë përfaqësuesi i BIK-ut, Bahri Sejdiu, ka thënë se fonde ka keqpërdorur vetë Rexha, ndaj të cilit u shpreh se kanë ndërmarrë veprime ligjore.
“Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës ka ndërmarrë hapat proceduralë; padinë civile të ish-arkëtarit Bahri Rexha bazuar në provat përkatëse si dhe kallëzim penal në Prokurori për veprat penale të dyshuara që kanë rezultuar nga veprimet e tij”, ka thënë Sejdiu.
E avokati i angazhuar nga BIK-u, Florim Shefqeti, ka theksuar se në këtë institucion kanë fakte që ish-arkëtari Rexha ka bërë tërheqje të mjeteve të Bashkësisë Islame në vlerë afro 30 mijë euro e që nuk dihet ku kanë përfunduar.
“Është konstatuar fakti që ka pasur tërheqje të mjeteve, realisht ne kemi thënë edhe për atë emision që është publikuar që kanë qenë dy tërheqje që ka bërë z. Rexha, 11 mijë dhe 17 mijë euro dhe nuk dihet ku i ka çuar”, ka thënë Shefqeti.
Sipas Bashkësisë Islame, Bahri Rexha në pozitën e arkëtarit, nga viti 2020 deri më 2022 ka tërhequr nga llogaria e BIK-ut 166 mijë euro pa mbulesë të cilat, sipas institucionit, kanë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.
Në emisionin “Betimi për Drejtësi” për keqpërdorime me mjetet e Bashkësisë Islame Rexha shfajësoi veten e përgjegjës tha se janë zyrtarët e lartë të BIK-ut.