LAJMET E MBRËMJES

IPK: Do t’i verifikojmë rrethanat e arrestimit të dy personave në Mitrovicën e Veriut e Leposaviq

Inspektorati i Policisë do të zhvillojë një hetim preliminar për të verifikuar rrethanat e arrestimit të dy të dyshuarve nga policia në Mitrovicën e Veriut dhe në Soqanicë të Leposaviqit. Sipas IPK-së, hetimet do të përqendrohen në rishikimin e rrethanave të këtyre arrestimeve dhe në vlerësimin e sjelljes së zyrtarëve policorë gjatë ndërhyrjeve.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka nisur hetime preliminare ndaj disa zyrtarëve policorë, të dyshuar për tejkalim të kompetencave gjatë arrestimeve në dy raste të ndryshme në komunat veriore të Kosovës.

Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, ka deklaruar se hetimet do të fokusohen në verifikimin e rrethanave të arrestimeve dhe në vlerësimin e sjelljes së zyrtarëve policorë.

“Sipas detyrës zyrtare kemi inicim një hetim preliminar për të verifikuar rrethanat se si ka ardhur deri te arrestimi dhe sa kanë qenë sjelljet e zyrtarëve policor në rastet përkatëse.  Do të zhvillojmë hetime paraprake dhe varësisht prej të gjeturave të këtij hetimi paraprak do të dalim me konkluzion nëse veprimet e policës kanë qenë në harmoni me dispozitat dhe kërkesat ligjore”, tha Hodaj.

Ai ka thënë se njëri prej rasteve është ai i politikanit serb, Aleksandar Arsenijeviq, që u arrestua të dielën mbrëma pasi fishkëlleu me bilbil derisa prezent ishte kryeministri Albin Kurti, ndërsa rasti tjetër me arrestimin e një qytetari të dyshuar për disa vepra penale.

“Në të dyja rastet ka pasur pretendime edhe të shfaqura në media dhe ka pasur reagime të misionit të EULEX-it që ka gjasa që mund të ketë tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve policor gjatë momentit të arrestimit dhe ballafaqimit të zyrtarëve policor me të”, tha Hodaj.

Sipas Hodajt, në veri situata është më ndryshe, por s’ka shtim të rasteve të ankesave nga zyrtarët ndaj zyrtarëve policorë.

Duke folur për ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë, Hodaj ka deklaruar se më së tepërmi ka raste të tejkalimit të forcës gjatë reagimit policor.

Gjatë vitit të kaluar, IPK-ja ka adresuar në prokurori mbi 180 raste me kallëzime penale, ka arrestuar 22 zyrtarë policorë të dyshuar, kanë rekomanduar suspendimin e 91 % të tjerëve dhe kanë kërkuar transferimin e katër personave zyrtarë nga pozitat që kanë pasur.