Besimtarët e krishterë dhe ortodoksë në mbarë botën kremtojnë festën e Pashkëve të dielën. Në meshën qendrore të mbajtur në mbrëmjen e së shtunës, Ipeshkvi Dodë Gjergji, bëri thirrje te besimtarët katolikë që të zgjaten duart e pajtimit, pa marrë parasysh rrethanat. Ndërsa, famullitari i Katedrales “Nëna Terezë”, kërkoi nga ta që të kthehen në bartës të paqes e shpresës.
Mesazhe për paqe, mbarësi e dashuri janë përçuar në meshën qendrore të mbajtur mbrëmë në Katedralen “Shën Tereza”, me rastin e festës së Pashkëve.
Duke ftuar besimtarët katolikë që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim, ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.
Ai ka thënë se Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona.
“Kjo nuk do të thotë të heshtim përballë së keqes, por ta përballojmë atë me dashuri, ta sfidojmë me forcën e së vërtetës, dhe çështjen tonë si edhe kohën tonë t’ia besojmë Zotit, sepse kështu i ka hije bijve të Dritës, të rilindur përmes Pagëzimit”, ka deklaruar ai.
E famullitari i Katedrales “Nëna Terezë”, don Agim Qerkini, në meshën e mbajtur të dielën, kërkoi nga besimtarët katolikë që të kthehen në bartës të paqes dhe shpresës.
“Krishti vazhdon të na ftojë në vepra bamirësie e dashurie. Nuk mbyllet cikli i fesë në Ditën e Pashkëve e duke vazhduar pastaj që të jetojmë ashtu si na thotë mendja. Jezusi na fton që gjithnjë të mundohemi veprat tona të ia përshtatemi mësimit të tij, atëherë jeta është jetë”.
Presidentja Vjosa Osmani ka uruar që Pashkët katolike e ato ortodokse, të shërbejnë si moment reflektimi për afrim e dashuri me njëri-tjetrin.
“Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, ju uroj nga zemra Pashkë të bekuara, paqe në zemër dhe gëzim në familje! Kjo festë, e cila këtë vit na bashkon në një datë të vetme, na kujton fuqinë, shpresën dhe besimin e palëkundur për një të ardhme më të mirë”, ka uruar ajo.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo ditë duhet të kthehet në pikëfillim për dashuri ndaj njerëzve dhe vendit.
“Është më shumë se një festë, është një ftesë për reflektim, rilindje dhe shpresë. Kjo ditë na e sjell pranë mendjes e shpirtit dritën, dashurinë dhe ripërtëritjen. Ta duam njëri-tjetrin dhe atdheun në pambarim. Ta kemi shpresën të madhe sa dëshirat. Ta mbrojmë dritën siç e mbrojmë veten. Ta përmbushim sprovën e të qenit njerëz me besim e me virtytin e të mirës”, shkroi Kurti.
Besimtarët i kanë uruar edhe krerët e tjerë institucionalë e ata partiakë.