LAJMET E MBRËMJES

Interpoli fut në “listën e kuqe” Milan Radoiçiqin dhe 20 anëtarë të grupit që sulmuan në Banjskë

Milan Radoiçiqit i është ngushtuar rrethi. Ai dhe 20 anëtarë të grupit të uniformuar serb, që kryen sulmin terrorist në Banjskë, janë futur në listën e kuqe të Interpolit.

Personi që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, është futur në listën e kuqe të Interpolit, si person në kërkim ndërkombëtar.

Nenad Rashiq, ministër në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se kërkesa është bërë me ndërmjetësimin e UNMIK-ut, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Nga kjo ministri dhe autoritete të tjera të enjten nuk kanë pranuar të flasin, me arsyetimin se “është rast i ndjeshëm”.

E burime të KOHËS brenda këtyre institucioneve kanë thënë se pos Radoiçiqit, në kërkim nga Interpoli janë edhe 20 pjesëtarë të tjerë serbë që kryen sulmin në Banjskë, më 24 shtator, ku u vra një polic kosovar. Mes tyre, sipas burimeve është edhe Uglesha Jarediq, ish-shef i Njësisë Speciale në veri.

KOHA ka dërguar pyetje në Interpol, por nuk ka marrë përgjigje të enjten. E për REL-in ka thënë se nuk i komenton rastet ose individët specifikë.

"Njoftimi i kuq" i alarmon policitë në të gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Radoiçiq është në Serbi. Ditë më parë, sipas autoriteteve serbe, atij i është konfiskuar pasaporta.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas lajmit për Interpolin, tha se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, do të përballet “me procedura serioze në Serbi”. Por nuk ka treguar nëse vendi i tij do të bashkëpunojë me Interpolin për këtë rast.

“Unë nuk jam person që dua t’i shqetësoj njerëzit kur ata kalojnë periudhë të vështirë, por e di se sa të provokuar kanë qenë serbët. Ai do të përballet me procedura serioze në Serbi. Natyrisht e gjithë kjo e vështirëson në mënyrë dramatike pozitën e Serbisë dhe nëse nuk do të kishim zgjedhje do të tregoja me disa detaje se sa probleme i solli realisht vendit”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për “NIN”.

E njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se nuk pret që Serbia të bashkëpunojë me Interpolin për këtë rast.

“Është një vlerësim i imi se Serbia nuk i respekton këto instrumente ndërkombëtare, sidomos rastin e Radoiçiqit, sepse edhe deklarimet e shpeshta të zyrtarëve më të lartë, pra presidentit Vuçiq dhe të tjerëve se nuk e ekstradojnë, nuk e dërgojnë në Kosovë, nuk ndihmojnë dhe nuk bëjnë asnjë aktivitet për ta dërguar para organeve të drejtësisë”, ka thënë Çollaku.

Sipas Çollakut, Interpoli ka disa kategori në të cilat vendosen personat e kërkuar.

Kosova, meqë nuk është anëtare e OKB-së, nuk ka të drejtë të shtrojë direkt kërkesa në Interpol, mirëpo brenda Policisë ekziston një drejtori për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, përfshirë edhe me Interpolin.

Më 24 shtator, pos policit kosovar, Afrim Bunjaku, u vranë edhe tre anëtarë të grupit terrorist serb. Pas operacionit, Policia konfiskoi armatim e pajisje ushtarake në vlerë rreth 5 milionë euro.

Radoiçiq, pak pasi ishte zbuluar përmes videoincizimeve se ishte pjesë e grupit në Banjskë, pranoi se e organizoi sulmin dhe dha dorëheqjen nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Pas presionit ndërkombëtar, Serbia nisi një proces ndaj tij. Me urdhër të gjykatës në Beograd u arrestua, për t’u liruar pas 24 orësh. Sipas njoftimit, u lirua me kushtin që të paraqitet dy herë në muaj në polici, të mos shkojë në Kosovë dhe iu konfiskua pasaporta.

Bojan Ellek nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë ka thënë se Serbia nuk është e detyruar ta arrestojë dhe ta ekstradojë Milan Radoiçiqin, sepse fletarrestimi i INTERPOL-it është një njoftim për vendet anëtare të asaj organizate ndërkombëtare policore, se një shtet tjetër po kërkon një person.

Siç ka thënë, fletarrestimi, para së gjithash, mund ta pengojë Radoiçiqin të udhëtojë jashtë Serbisë, kryesisht në vendet që kanë marrëdhënie të mira dypalëshe me Kosovën, pasi ato mund të veprojnë sipas fletarrestimit dhe ta arrestojnë atë.

“Fletarrestimi i INTERPOL-it zbatohet, sepse vendet anëtare veprojnë sipas legjislacionit të brendshëm, dhe sipas legjislacionit të brendshëm, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi”, ka thënë Ellek për REL-in.

Ai, po ashtu, ka theksuar se Serbia me siguri nuk do të veprojë sipas fletarrestimit, pasi që edhe institucionet në Beograd janë duke zhvilluar procedurë kundër Radoiçiqit.

“Potencialisht mund të jetë problem nëse Serbia nuk e udhëheq atë hetim si duhet dhe nëse nuk komunikon në mënyrë aktive, pasi ka rekomandime nga Bashkimi Evropian, madje edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, kur erdhi në Beograd, insistoi që Serbia të zbatojë hetim adekuat për Banjskën”, është shprehur Ellek.

Procedura e ekstradimit në Serbi është e rregulluar me Ligjin për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale.

Në nenin 18 thuhet se me marrjen e kërkesës për ekstradim, Ministria e Drejtësisë ia dorëzon kërkesën gjykatës “në territorin e së cilës banon, ose gjendet personi të kërkohet të ekstradohet”.

Gjyqtari hetues lëshon urdhër për sjelljen e personit para gjykatës, dhe urdhri ekzekutohet nga policia.

Me të mbërritur në gjykatë, gjyqtari hetues përcakton nëse ka parakushte për ekstradim.

Vendimi përfundimtar merret nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh.