LAJMET E MBRËMJES

Institucionalizohet propozimi që të nisë mësimi, por jo edhe vënia e notave

Takimi në Kuvend i përfaqësuesve institucionalë dhe sindikalistëve të Arsimit nuk ka prodhuar zgjidhje. Por, deputeti Ardian Gola ka shtruar për shqyrtim propozimin e shoqërisë civile që mësimdhënësit t’ia fillojnë mësimit e deri në një marrëveshje me Qeverinë si presion sindikal ta përdorin mosvënien e notave për nxënësit. Sindikalistët thanë se këtë formulë mund ta diskutojnë me anëtarësinë.

Është institucionalizuar një formulë e propozuar në shoqërinë civile për t’i dhënë fund grevës në arsim.

Në KTV këtë javë Rinor Qehaja dha rekomandimin që mësimi të nisë, por mësimdhënësit të mos i notojnë nxënësit pa gjetur një zgjidhje me Qeverinë.

Këtë propozim e dha të premten edhe Ardian Gola, kryetar i Komisionit parlamentar për Arsim, gjatë pjesëmarrjes së sindikalistëve të arsimit në komision.

“Që fëmijët t’i rikthejmë në procesin mësimor, të mos ua vendosim notat dhe prapë po them që është presion goxha i fuqishëm sindikal në raport me Qeverinë”, ka thënë ai në Komision.

Përfaqësues të Sindikatës nuk e kundërshtuan si ide.

“Këtë lutjen tuaj për ta diskutuar me anëtarësinë, natyrisht që do ta diskutojmë me anëtarësinë”, u shpreh Vjollca Shala nga SBASHK-u.

Në mbledhjen e Komisionit morën pjesë edhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Ministrja e Arsimit i luti sindikalistët që t’i japin fund grevës.

“Lutja ime që e kam bërë në vazhdimësi për SBAShK-un ka qenë që të mos e mohojnë të drejtën e fëmijëve për arsim, u jam lutur shumë të hapen shkollat, të vazhdojë mësimi dhe të vazhdojmë diskutimin, sepse jemi të interesuar të përmirësojmë gjithçka në fushën e arsimit”, ka thënë ministrja Arbërie Nagavci.

E, një pyetje e ministrit të Financave nxiti reagimin e sindikalistëve.

“Për z. Ymeri është raportuar që është i afërt me disa subjekte të caktuara politike, a ka ndonjë... Pse duhet të ndihen në siklet deputetët e opozitës, për afërsinë politike që mund të kenë grevistët”, u shpreh Hekuran Murati drejtuar zyrtarit të SBASHK-ut, Ymer Ymeri.

“Qëllimi i diskutimit në këtë formë është mos me arrit marrëveshje”, iu kundërpërgjigj Ymeri.

Ministri i Financave tha se Qeveria ka ofruar mjaftueshëm zgjidhje, porse sindikalistët, sipas tij, vazhdimisht i ndryshojnë kërkesat.

E, deputetë të opozitës thanë se ky diskurs nuk i kontribuon zgjidhjes.

Më 25 gusht sektori publik, përfshirë arsimin, ka hyrë në grevë me kërkesën për shtesë mbi pagë prej 100 eurosh deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave. Sindikatat nuk e kanë pranuar si zgjidhje vendimin e Qeverisë për t’ua ofruar gjysmën e kësaj shume deri në fundvit.