LAJMET E MBRËMJES

“Incidenti në Shkup”, Presidenca e pakënaqur me Kurtin e Mickoskin

Presidenca ka insistuar se incidenti diplomatik me të cilin u përball presidentja Osmani në aeroportin e Shkupit është provokim. Në reagim ky institucion ka shprehur pakënaqësi lidhur me konferencën e së hënës mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se shprehja e keqardhjes, ndonëse e mirëseardhur, nuk i adreson vërejtjet për shkelje të rregullave ndërkombëtare diplomatike, që i ka paraqitur Kosova përmes notës së protestës

Presidenca e Kosovës ka reaguar ashpër të martën duke shprehur pakënaqësi me atë që u tha në konferencën e së hënës mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, lidhur me incidentin diplomatik, kur presidentes Vjosa Osmani iu kërkuan telefoni dhe çanta për skanim më 1 gusht në aeroportin e Shkupit. 

Në reagim është përsëritur se episodi në aeroport ishte një provokim dhe u është kërkuar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut t’i adresojnë vërejtjet e notës së protestës që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka paraqitur.

“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media është për keqardhje, sepse i ka kontribuuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe të aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Presidentes. 

Në konferencën e së hënës, Kurti ka thënë se pret një raport të detajuar për incidentin e Mickoski ka shprehur keqardhje dhe se edhe vetë kalon nëpër procedura të tilla kur udhëton nga aeroporti i Shkupit. 

Pos Qeverisë maqedonase, nga Zyra e Presidentes, Vjosa Osmani kritika i janë drejtuar edhe asaj të Kosovës. 

Kryeministri Kurti në konferencën në Shkup nuk e quajti provokim incidentin me Osmanin. 
Nga Presidenca po ashtu kanë thënë se nuk duhet të pritet raport prej autoriteteve në Shkup dhe se shprehja e keqardhjes nuk mjafton. 

“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e së drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës por, përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik të institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet tutje në reagim. 

Në reagimin e saj Presidenca i ka përmendur 37 shtete për ku presidentja ka udhëtuar dhe nuk është përballur me probleme si ato në Maqedoninë e Veriut. Lidhur me reagimet publike ka thënë se ishte e detyruar të reagonte shkaku i interesimit mediatik. 

“Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave”, thuhet në reagim. 

Sipas Presidencës për adresimin e notës së protestës të dërguar prej institucioneve të Kosovës, duhet të ketë vullnet politik në Maqedoninë e Veriut. 

“Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar”. 

Të hënën mediat në Maqedoni të Veriut kanë raportuar se për rastin ndaj 3 personave është ngritur kallëzim penal. Është raportuar për dy policë dhe për një anëtar të sigurimit të kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.