Grupet e popullatës së rrezikuar, si ato me sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, pacientët astmatikë dhe të prirë për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël e gratë shtatzëna, janë rekomanduar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të mos ekspozohen në ajrin e ndotur
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka alarmuar për nivelet e larta të ndotjes së ajrit, veçmas në Prishtinë.
Sipas këtij instituti, cilësia e ajrit ka degraduar për shkak të përdorimit të lëndëve djegëse për ngrohje, e edhe shkaku i transportit e industrisë.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur se personat më të cenueshëm nga ajri i ndotur janë grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes.
“Shkaqet kryesore të vdekjeve dhe sëmundjeve që lidhen me ndotjen e ajrit janë: sëmundjet ishemike të zemrës, goditja në tru, sëmundjet e frymëmarrjes, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, bronhiti, emfizema, irritimi i syve dhe sistemit të frymëmarrjes, veçanërisht sulmet e astmës dhe kanceri i mushkërive”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje qytetarëve t’i reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje të qëndrohet në shtëpi dhe të mos hapen dritaret për ajrosjen e dhomave, të reduktohet pirja e duhanit jashtë ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet në hapësira të mbyllura.
Një rekomandim të veçantë e ka dhënë për grupet më të cenueshme.
“Grupet e popullatës së rrezikuar të tilla si me sëmundje kronike pulmonare, të zemrës, pacientët astmatikë dhe të prirë për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna rekomandohet që të kalojnë më shumë kohë në mjedise me nivele të ulëta të ndotësve, të tilla si në male dhe vendpushime të shëndetshme”, thuhet në njoftim.
E, sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës – përgjegjës për monitorim të cilësisë së ajrit – më 2024 janë regjistruar 32 ditë me ndotje të ajrit mbi standardin e përcaktuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit – pra 32 ditë kur grimcat e ajrit PM 10 kanë qenë mbi nivelet e lejuara, në krahasim me 120 ditë më 2010.
Grimcat PM 2.5 dhe 10 janë shumë të imëta, dhe për shkak të peshës së vogël qëndrojnë lehtë në ajër, prandaj depozitohen lehtë në organizmin e njeriut përmes ajrit të thithur.
Blloqet në termocentralin ekzistues të Kosovës A, kompanitë e mëdha sikurse Feronikeli, mbetjet e gjigantit metalurgjik Trepça, sektori i mbeturinave, sektori i transportit, ekonomitë familjare, mungesa e gjelbërimit dhe sektori i ndërtimtarisë në zonat urbane, konsiderohen shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes.