LAJMET E MBRËMJES

IKD: Kuvendi cenoi të drejtat e mbi 90 mijë zyrtarëve publikë

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik rrezikon ta dëmtojë buxhetin për 35 milionë euro. Për këtë, ky institut të enjten publikoi edhe një raport

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për paga në sektorin publik më 2023 u cenuan të drejtat e 90 mijë zyrtarëve publikë, thuhet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, i publikuar të enjten.

Gzim Shala, hulumtues në IKD, ka thënë se Gjykata Kushtetuese konstatoi se ulja e shtesës për përvojën e punës nga 0.5% në 0.25% për 15 vjetët e parë bie ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas tij, nëse Kuvendi nuk vepron, buxheti do të dëmtohet me miliona euro.

“Në bazë të një kalkulimi të përgjithshëm, nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen 35,770.502 euro për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatën ligjore dhe shpenzimet e mundshme përmbarimore”, ka thënë Shala. 

Përparim Gruda, deputet i ri i PDK-së, ka kritikuar Qeverinë për shkelje të Kushtetutës dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Është e paimagjinueshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese në një vend demokratik të neglizhohen, të mos zbatohen. Ato janë norma kushtetuese dhe vendet e reja sikur ne nuk e kuptojnë që interpretimet që dalin nga gjykata kushtetuese janë kushtetuta vetë”, ka thënë Gruda.

E sipas Armend Zemajt, deputet i LDK-së, Kuvendi ishte pothuajse jofunksional që nga shkurti i vitit 2024 deri në ditën e zgjedhjeve.

“Kuvendi nuk ka funksionuar normalisht, as në kuptimin e mbajtjes së takimeve të komisioneve, por as në propozim të agjendave të cilat do të mund të kishin një ndërhyrje dhe propozime të reja për ndryshimet legjislative. Kosova ka rrëshqitur në një situatë ku ka krijuar destabilitet edhe ligjor, edhe kushtetues”, është shprehur Zemaj.

Si propozim i IKD-së për të shmangur dëmtimin e buxhetit, është thënë se legjislatura e ardhshme e Kuvendit, duhet që qysh në ditët e para ta plotësojë e ta ndryshojë Ligjin për paga në sektorin publik, sipas vendimit të Kushtetueses.