LAJMET E MBRËMJES

IKD: Kosova ende pa strategji kundër korrupsionit, draftstrategjia bie ndesh me Kushtetutën

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka prezantuar raportin e shoqërisë civile për zbatimin e masave parandaluese dhe rikuperimit të pasurisë në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit në Kosovë. Aty u tha se me gjithë faktin se një numër i konsiderueshëm i obligimeve të Konventës janë përmbushur përmes miratimit të ligjeve, rezultatet e synuara nuk janë arritur.

Ardona Popova

Institucionet e zbatimit të ligjit kanë dështuar në luftimin e korrupsionit dhe Kosova po dështon që të ofrojë një qasje strategjike dhe sistematike për luftimin e korrupsionit, vlerëson Institutit i Kosovës për Drejtësi.

Të dhënat u bënë të ditura gjatë prezantimit të raportit paralel të shoqërisë civile në zbatimin e Konventës të Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit në Kosovë

Zëvendësdrejtori ekzekutiv në IKD, Betim Musliu, ka thënë se Kosova nuk ka një strategji shtetërore kundër korrupsionit që nga viti 2019.

“ Megjithatë, zbatimi efektiv i kuadrit ligjor kundër korrupsionit mbetet i pazbatuar njëherë. Edhe pse ka pasur gatishmëri politike për të rregulluar infrastrukturën ligjore përmes ligjeve themelore për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, praktika tregon se institucionet e zbatimit të ligjit kanë dështuar në arritjen e rezultateve të dëshiruara”, tha Musliu. 

Hulumtuesi në IKD, Gzim Shala, e vlerësoi si të domosdoshëm ndryshimin e Ligjit për prokurimin publik pasi, sipas tij, është vetëm pjesërisht në përputhje me dispozitat e Bashkimit Evropian

Ai tha se, përveç kësaj, ky ligj nuk përmban dispozita që i adresojnë prokurimin elektronik dhe sfidat e organit shqyrtues të prokurimit.

“ Përkundër nevojave për miratimin e këtij ligji, miratimi i këtij ligji është shtyre 6 herë që nga vitit 2020 kur ka filluar të draftohet dhe përkundër që pritej të miratohet deri me 20 mars të vitit 2024”, tha Shala.

Ndërsa menaxherja e projektit në koalicionin UNCAC, Danella Newman, deklaroi  se përveç mungesës së gjithëpërfshirjes, mekanizmit të rishikimit të zbatimit të konventës i mungojnë transparenca dhe efikasiteti.

“Duke identifikuar praktikat e mira dhe mangësitë, raportet paralele si ky që publikohet këtu sot, theksojnë atë që funksionon në praktikë dhe ofrojnë rekomandime për përmirësim – të gjitha me qëllimin të luftimit më efektiv të korrupsionit”, tha Newman.

Newman theksoi se deri më tash kanë mbështetur hartimin e më shumë se 40 raporteve të ngjashme.