Rreth 57.2 për qind e qytetarëve kanë pretenduar se performanca në sektorin e drejtësisë ka mbetur e pandryshuar, bazuar në një hulumtimi të Institutit Demokratik të Kosovës (IKD).
Gjatë publikimit të raportit të mërkurën, hulumtuesi në KDI, Arbër Thaçi, ka thënë se gjatë tre vjetëve të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, reforma në drejtësi nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve për trajtim të rasteve të korrupsionit.
“Për performancën e gjykatave dhe prokurorive, rreth 19.8 për qind (e qytetarëve) pretendojnë se ka përmirësime të këtyre institucioneve, 57.2 për qind pretendojnë se situata është e njëjtë, ndërsa afër 18 për qind thonë se situate është përkeqësuar”, ka thënë Thaçi gjatë prezantimit të hulumtimit të ndërmarrë mbi ecurinë e reformës në Drejtësi gjatë tre vjetëve të Qeverisë Kurti.
Thaçi ka shtuar se qytetarët kanë shprehur pritjen që të zvogëlohen vonesat në trajtimin e rasteve nëpër gjykata, si aspekti më i rëndësishëm për ta.
“30.3 për qind e qytetarëve presin që reforma në Drejtësi të vazhdojë në zvogëlimin e vonesave në trajtimin e rasteve në gjykata, si aspekti më i rëndësishëm për ta. Si çështje e dytë ata mendojnë se reforma duhet të vazhdojë në rritjen e ndëshkimeve për gjyqtarët dhe prokurorët me performancë të dobët, me 22.9 për qind e tyre që kanë përzgjedhur këtë aspekt si zgjedhje e dytë. Në anën tjetër, më pak të rëndësishme për qytetarët janë mbikëqyrje më e madhe e punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve ku 19.8 për qind e tyre e kanë përzgjedhur këtë si zgjedhje të tretë, ndërsa 22.6 për qind si zgjedhje të katërt për nga rëndësia”, ka theksuar Thaçi.
Sipas raportit të KDI-së, Qeveria duhet të japë alternativë tjetër për jetësimin e procesit të Vettingut dhe që në Ligjin për Këshillin Prokurorial të përfshijë opinionet e Komisionit të Venecias.
Hulumtimi i Institutit Demokratik të Kosovës është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1.065 qytetarë të moshës mbi 18-vjeçare.