Me homazhe e me akademi përkujtimore, është përkujtuar të martën presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes. Ai është vlerësuar si arkitekti i pavarësisë dhe si njeriu që e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës në periudhën më të vështirë për vendin
Si arkitekt të pavarësisë e si njeri që pati rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, të martën e përkujtuan liderë shtetërorë e ata politikë ish-presidentin, Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes.
Vepra dhe figura e Rugovës u kujtuan në homazhet e mbajtura te varri i tij në lagjen “Velania” në Prishtinë dhe me akademi përkujtimore.
Presidentja Vjosa Osmani, e lartësoi punën e Rugovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Arkitekti i pavarësisë e pa Kosovën jo vetëm si një projekt politik, por si një amanet historik. Si një aspiratë të natyrshme të një populli që vuante e luftonte për liri. Në vitet më të vështira të historisë sonë, Rugova mbeti i palëkundur rrugën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi një lëvizje paqësore të rezistencës të bazuar në dialog, në urtësi dhe në besim se demokracia dhe vlerat perëndimore do të triumfojnë mbi vulën e regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, ka thënë Osmani.
Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ka thënë se Rugova mbetet figurë politikani që edhe sot çmohet e vlerësohet nga ndërkombëtarët.
“Në takimet e shpeshta që i kam pasur dhe që i kam edhe tani me zyrtarë ndërkombëtarë, që nga ambasadorë e deri tek intelektualë, diplomatë e politikanë vështirë të përfundohet biseda pa folur me rrespekt për veprën e presidentit Rugova, për të vlerësuar rrugën dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shteti të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka deklaruar Sejdiu.
E kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ka shkruar se zëri i Rugovës qe i besueshëm në Evropë e në Shtete të Bashkuara.
“Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet ’90. Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në SHBA”, ka thënë Kurti.
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, që u pat themeluar nga Rugova, theksoi se përkushtimi i tij për popullin, e shndërroi në simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore.
“Njeriu që me urtësi, me kokëfortësi, me mburrje e priu popullin e Kosovës në periudhën më të vështirë të tij krijoi aleanca ndërkombëtare dhe arriti që çështjen dhe kauzën e popullit shqiptar të Kosovës dhe jo vetëm ta bëjë çështje ndërkombëtare drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë”, ka thënë Abdixhiku.
Për nder të presidentit të parë të Kosovës, që vdiq më 21 janar 2006, të martën është mbajtur edhe ekspozitë me fotografi të tij.