Një tjetër institucion ilegal që funksiononte sipas sistemit të Serbisë, është mbyllur të mërkurën në Mitrovicë të Veriut. Policia ka njoftuar se zyrës tatimore të Ministrisë së Financave të Serbisë i është vënë dryni dhe se rasti po hetohet si falsifikim i dokumenteve. Është mbyllur edhe një zyrë e një kompanie të sigurimeve, që po ashtu funksiononte sipas sistemit të Serbisë
Policia e Kosovës ka mbyllur të mërkurën një institucion tjetër ilegal në Mitrovicën e Veriut, e i cili dyshohet se ka funksionuar si zyrë tatimore e Ministrisë së Financave të Serbisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani, tha se gjatë operacionit janë gjetur prova që mbështesin këto dyshime.
“Rreth orës 9 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore (si degë e Ministrisë së Financave të Serbisë). Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me prokurorin, njerëzit që janë hasur aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë Elshani.
Të arrestuar nuk ka e sipas Elshanit, rasti po hetohet për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u shpreh se ky institucion paralel ka mbledhur mjete financiare në mënyrë të jashtëligjshme nga qytetarët dhe subjektet që veprojnë në Kosovë.
“Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucionalë, ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona. Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putini”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
E, mbylljen e kësaj zyre e ka dënuar Lista Serbe. Ajo ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se fushatën zgjedhore po synon ta bëjë në kurriz, siç tha, të popullit serb. Në reagim tha po ashtu se 80 punëtorë kanë ngelur pa punë.
“Derisa Kurti me njësitet e tij policore dhe me ministrat e dëgjueshëm si Nenad Rashiq po merr e zapton ndërtesa e objekte serbe, nuk mund ta detyrojë popullin serb që ta lëshojë atdheun shekullor dhe as ne e as shtetin e Serbisë t’i pengojë që ta ndihmojnë popullin tonë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Gjatë ditës së mërkurë, Policia ka ndaluar edhe veprimtarinë e kompanisë së sigurimeve “Dunav”, që po ashtu funksiononte sipas sistemit të Serbisë. Kjo kompani dyshohet për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Javëve të fundit janë mbyllur edhe disa institucione të tjera ilegale në veri dhe në Graçanicë. Aksioni i fundit ishte kryer më 26 dhjetor.