Izet Godeni është dënuar të mërkurën për herë të dytë nga shkalla e parë për vrasjen e rëndë të gruas së tij, Sadije Godeni, në vitin 2022. Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar atij dënimin me 35 vjet burgim, 10 më shumë sesa herën e parë
Me 35 vjet burgim është dënuar të mërkurën Izet Godeni për vrasjen e gruas së tij me sëpatë, në rigjykim të rastit që pati ndodhur në vitin 2022.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të akuzuarin për veprën penale “vrasje e rëndë” dhe ia ka rritur dënimin për 10 vjet, pasi që herën e parë ia pati shqiptuar atij dënimin me 25 vjet burgim për rastin.
Trupi gjykues, i kryesuar nga Naser Foniqi, ka konstatuar se vrasjen e rëndë i pandehuri e ka kryer në mënyrë mizore e tinëzare.
“I akuzuari Izet Godeni me të dhënat personale si në shkresat e lëndës është fajtor sepse më datën 25.11.2022, rreth orës 4, në shtëpinë e tij në rrugën ‘Mark Isaku’, numër 115, në mënyrë mizore dhe dinake ka privuar nga jeta anëtaren e familjes së tij, ish-bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Sadije Godeni”, ka thënë Foniqi.
Në shpalljen e aktgjykimit është theksuar se Izet Godeni e ka vrarë bashkëshorten e tij, teksa ajo ishte duke fjetur.
“Përderisa e ndjera ka qenë duke fjetur në shtratin e saj, tani i akuzuari me sëpatë si mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore – rrezikimin e jetës, tani të ndjerën e ka goditur disa herë në pjesën e majtë të kokës, duke i shkaktuar asaj lëndime të rrezikshme për jetën për shkak të të cilave tani e ndjera ka ndërruar jetë”, ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Foniqi.
Më 26 shtator të 2023-s, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, pasi që ka konstatuar se aktgjykimi nuk është mbështetur në të gjitha faktet që i përmban aktakuza. Në vendimin e Apelit është theksuar se mbrojtësja e të akuzuarit Godeni, avokatja Myrvete Hasahni nuk ka qenë e pajtimit për pranimin e veprës penale nga i akuzuari dhe se klienti i saj nuk është konsultuar mjaftueshëm lidhur me pranimin e fajësisë. Sipas Apelit, pranimi i fajësisë nga i akuzuari është bërë jashtë normave ligjore dhe nuk është mbështetur në të gjitha faktet dhe çështjet që përmban aktakuza. Aktakuza e ngarkon Godenin se më datën 25 nëntor të vitit 2022, rreth orës 4:00, e ka privuar nga jeta, në mënyrë mizore me sëpatë, bashkëshorten e tij, S.G..
Brenda pesë ditëve të fundit në Kosovë janë vrarë dy gra, e që nga viti 2010 – 57 sosh.