LAJMET E MBRËMJES

I arrestuari nga Serbia, sipas familjes, nuk ishte në Kosovë gjatë luftës

Arrestimi i shtetasit Tefik Mustafa nga autoritetet e Serbisë, të shtunën, me dyshimet për krime lufte më 1999, ka nxitur reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme që ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion për lirimin e tij. Mustafa, që ka shtetësi edhe të Italisë, sipas familjarëve të tij, nuk ishte fare në Kosovë gjatë periudhës së luftës, për të cilën e akuzon Serbia

70-vjeçari Tefik Mustafa, shtetas i Kosovës dhe i Italisë, të shtunën është zbritur nga autobusi i nisur për në Itali, pasi kaloi Merdarin.

Mustafa u arrestua me dyshimin për krime lufte, dhe seanca për masën e sigurisë ndaj tij është caktuar për të hënën (sot).

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e ka dënuar arrestimin e tij dhe ka kërkuar presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për ta liruar Mustafën.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë pretendon se Mustafa është i përfshirë në rrëmbimin e tre policëve serbë më 19 qershor 1999.

Por i biri i tij, Qamil Mustafa, ka deklaruar se ai nuk ka qenë fare në Kosovë gjatë luftës.

“Më 1997,  më datën 24 gusht ka dalë, ka migruar për në Gjermani. Kjo është akuzë e pabazë, se prej 97-s e deri më 2004 nuk ka mundur të vijë në Kosovë. Ka vdekur gjyshi ynë dhe nuk ka mundur të marrë pjesë në varrim”, ka thënë Qamil Mustafa. 

Ai është shprehur se babai i ka telefonuar dhe është detyruar të flasë serbisht, në mënyrë që bisedën ta kuptojnë edhe autoritetet serbe.

“E ka kontaktuar vëllain prej stacionit policor Kurshumli, i ka thënë vëllait, më kanë arrestuar, në kufi më kanë marrë, po më akuzojnë, nuk e di as vetë për çfarë arsyeje dhe më nuk ka pasur kurrfarë informacioni. Diku rreth orës 23:40 e ka kontaktuar prapë babai të vëllain dhe i ka thënë që jemi në Kurshumli duke vazhduar në drejtim të Beogradit. Kanë qenë ata hetuesit në automjet, e kanë detyruar të flasë në gjuhën serbe kur ka folur me të vëllain. E ka pyetur vëllai, a je mirë me shëndet, i ka thënë, koka po më dhemb, më kanë dhënë për të pirë e për të ngrënë nuk më kanë dhënë e as nuk kam kërkuar”, ka thënë Mustafa.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar prej bashkësisë ndërkombëtare hapa konkretë ndaj sjelljeve agresive të Serbisë, që i ka quajtur në kundërshtim me të drejtat e njeriut”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit z. Tefik Mustafa dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. MPJD-ja për këtë arrestim ka njoftuar dhe shtetet e QUINT-it në Kosovë dhe do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti, dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD-ja, po ashtu, ka kërkuar nga qytetarët që ta kontaktojnë në rast të pengesave dhe vështirësive gjatë udhëtimeve nëpër Serbi.

Të shtunën mbrëma, Ministria e Brendshme e Serbisë, që udhëhiqet nga Ivica Daçiq, njoftoi se Tefik Mustafa është arrestuar me dyshimin se ishte “pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve: Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Milosheviq, më 19 qershor 1999, në rrugën Prishtinë – Gjilan”.

Paviq dhe Marinkoviq, figurojnë në listën e të zhdukurve të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), megjithatë, mospërputhje ka tek emri Predrag Millosheviq.

I zhdukur në të njëjtin vend, në Slivovë të Gjilanit, në listën e FDH-së figuron të jetë Predrag Milkoviq.

Aktualisht në Serbi, përveç Mustafës, në paraburgim me dyshimin për krime lufte po mbahen edhe shtetasit e tjerë të Kosovës: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Sadik Duraku.

Sipas statistikave të FDH-së, 19 prej 23 të akuzuarve shqiptarë në Serbi janë liruar nëpër procese gjyqësore për krime lufte. Anton Lekaj është dënuar me 13 vjet burgim dhe Ramadan Maloku me një vit e gjashtë muaj burgim. I akuzuari i fundit që u lirua nga burgjet serbe është qenë Petrit Dula, i liruar nga akuzat nga gjykata e apelit.

Nga të paraburgosurit për krime lufte në Serbi, pa aktakuzë janë Tefik Mustafa, Hasan Dakaj dhe Sadik Duraku.

Ekspertja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Marina Klajiq ka thënë për dokumentarin COSMO në KTV se për rastet që janë duke u hetuar është herët të flitet, pasi që janë krejt në fillim. Megjithatë, ka thënë se është zhgënjyer me Prokurorinë serbe, që, sipas saj, me këto raste del të jetë në shërbim të agjendave politike ditore të pushtetit në Serbi.

“Mendoj që është simptomatike se si të tre përfunduan në paraburgim, e për çfarë akuzash bëhet fjalë, më shumë është tregues i arrestimeve e veprimeve politike sesa ndonjë qëllim i njëmendtë për ta hetuar krimin. Fondi për të Drejtën Humanitare i ka dërguar nëntë lëndë me prova të mira, por që nuk i kanë marrë për bazë. Pra, më shumë është arrestim i njerëzve, shqiptarëve, për nevoja politike ditore sesa për krime të rënda”, është shprehur Klajiq.

Sipas MPJD-së, këto arrestime janë plotësisht politike dhe pa asnjë bazë ligjore meqë nuk kanë të bëjnë me të akuzuar nga Serbia, as me viktima nga Serbia dhe as nuk lidhen me territorin e Serbisë.