LAJMET E MBRËMJES

I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes në Pejë pranon fajësinë

Në seancën fillestare për rastin, e mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, prokurorja e pranoi deklarimin e të akuzuarit mbi fajësinë. Por këtë e kundërshtoi avokatja e familjes së viktimës. I akuzuari gjatë pranimit të fajësisë, familjes së viktimës, i kërkoi falje

Edmond Lajçi e ka pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella, gjatë prillit të sivjetmë në Pejë.

Deklarimin mbi fajësinë ai e bëri të martën, në seancën fillestare për rastin të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, ia lexoi aktakuzën.

“Fajtor, faktikisht unë që nja 10 vjet si i mbyllur në burg, jashtë jetës, prej gjithkujt, prej gjithçkafit. I kërkoj falje familjes të së ndjerës për veprimet”, ka thënë Lajçi.

Prokurorja Disha-Haxhosaj e pranoi deklarimin e tij mbi fajësinë.

“Prokurorja e ka pranuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari dhe ka kërkuar nga gjykata të ia pranojë pranimin e fajësisë”, u shpreh prokurorja.

Por kundërshtim shprehu avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, që e përfaqëson familjen e viktimës. 

“Lus gjykatën të mos ia pranojë fajësinë, se instituti i pranimit të fajësisë është rrethanë lehtësuese. Si ndjenjë profesionale që për 18 vjet karrierë si avokate, nuk kam pa rast më të rëndë se ky se sot që përfaqësoj 3 fëmijë të mitur, të të ndjerës Gjyljeta Ukella dhe familjes së saj”, ka thënë avokatja Gashi-Bytyqi.

Lajçi, sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, me dashje dhe me pistoletë e ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë. 

Në aktakuzë thuhet po ashtu se çifti ka pasur probleme të vazhdueshme dhe se Lajçi ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes. E në ditën kur ndodhi vrasja, në aktakuzë specifikohet se i akuzuari, pas kthimit në shtëpi nga qëndrimi gjatë natës në spital me nënën e tij që po trajtohej për një sëmundje, i ka kërkuar vajzës së tij që të dalë nga banesa për të blerë diçka në dyqan, me synimin që të mbetej vetëm me bashkëshorten. 

Seanca për paraqitjen e fjalës përfundimtare mbi rastin pritet të mbahet të premten.