LAJMET E MBRËMJES

Hoxha thotë se Meta kundërshtoi dhunshëm arrestimin, Blushi paralajmëron kallëzim penal

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, ka thënë se arrestimi i ish-presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, mund të kalonte i qetë nëse ai nuk do ta kundërshtonte urdhrin e Policisë. E për këtë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirë, Tedi Blushi tha se do të bëjnë kallëzim penal. Ish-presidenti Meta nën akuzën për korrupsion do të dalë para gjykatës të mërkurën.

Kritikat që u bënë për mënyrën se si u arrestua ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i ka arsyetuar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha.

Ai ka thënë se kundërshtimi me dhunë i Metës gjatë arrestimit të tij të hënën e ka bërë të pashmangshëm shoqërimin e tij me forcë drejt stacionit policor.

Hoxha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, tha se arrestimi i ish – presidentit Meta mund të kalonte i qetë nëse ai do të kalonte nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici.

“Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici. Nga ana tjetër, askush nuk e thotë dot që ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij. Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm”, tha Hoxha. 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se nuk ekziston asnjë fakt që ish presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e ka shkelur ligjin.
Blushi tha se do të bëjnë kallëzim penal në lidhje me arrestimin e Metës.

“Një nga oficerët e ngarkuar në detyrë që duhej të bënte prezantimin e mandatit, unë për pak do t’ju tregoj pamjet filmike, ishte ngarkuar misioni politik, është një djalë që emrin e tij rezervoj ta them, një djalë 27 vjeçar, i cili ka shërbyer si roje trafiku. Do të bëjmë kallëzim penal për kryerjen e të gjitha këtyre veprimeve arbitrare të cilat kurrë nuk do të amnistohen dhe gjithmonë do të marrin ndëshkimin e merituar”, tha Blushi. 

E për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, dha kritika edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila po ashtu është e dyshuar në këtë rast.

“Nuk kanë argument dhe iu desh të mbyllnin gojën Ilir Metës, ta bëjmë atë proces dhe rrëmbim kriminal, njëlloj si bandat e Lezhës, i veshin edhe me kapelë, kur ju ka thënë Ilir Meta jo atyre, kush është Ilir Meta që e morën ata ashtu”, tha Kryemadhi. 

Ish-presidenti Ilir Meta, i arrestuar të hënën me urdhër të SPAK-ut, do të dalë të mërkurën para gjykatës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkë me Metën në Gjykatë do të paraqiten edhe Monika Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho. 
Meta dyshohet nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim pasurie.
Me arrestimin e Metës, zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri që pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm do të mbahen pa dy liderët opozitarë, pasi edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjendet në arrest shtëpiak, i cili po ashtu dyshohet për korrupsion.