LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Situata në veri, shqetësuese – kryetarët të mos hyjnë me forcë në objekte

Jeffrey Hovenier

Situata në veri është tejet shqetësuese dhe kryetarët e sapozgjedhur në katër komunat veriore nuk duhet të hyjnë me forcë në ndërtesat komunale, ka thënë ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier. Ai takoi të hënën presidenten Vjosa Osmani dhe dy nga katër kryetarët e komunave veriore. Dy të tjerët, që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, nuk i shkuan në takim

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka quajtur thellësisht shqetësuese për bashkësinë ndërkombëtare situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenier tha se u diskutuan mundësitë për t’i ulur tensionet. E para saj, të hënën në mëngjes, takoi në Zyrën e BE-së edhe dy nga katër kryetarët e zgjedhur të komunave në veri.

Siç tha ai, nga ta pret që të mos hyjnë në ndërtesat komunale me forcë.

“Biseda jonë me kryetarët ishte se si ata mund të përmbushin detyrat e tyre për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, siç pritet nga ta dhe siç ne duam që ata të veprojnë, por në një mënyrë që tregon se ata janë të përkushtuar për të qenë përgjegjës për të gjithë qytetarët, që për ne nënkupton moshyrjen në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës”, ka theksuar Hovenier.

E kryetarët Izmir Zeqiri e Ilir Peci, në një deklaratë të përbashkët, thanë se duan të qeverisin lirshëm.

Kryetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk i shkuan në takim Hovenierit.

“Nuk e di pse nuk erdhën kryetarët e tjerë, vetëm mund të them se ftesa u shkoi”, ka deklaruar Hovenier.

Hovenier tha se qëndrimi i SHBA-së dhe vendeve të QUINT-it është që të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë futen me forcë në ndërtesat komunale.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nuk sqaroi pse nuk shkoi në takim.

“Do të takohemi së shpejti. Me shumë kënaqësi. Presim mbështetje dhe bashkëpunim”, ka theksuar Atiq.

KOHA ka kontaktuar Lëvizjen Vetëvendosje për të marrë përgjigje pse dy kryetarët e komunave që vijnë nga ky subjekt nuk shkuan në takim. Zëdhënësi Arlind Manxhuka ka thënë se Atiqi tashmë ka dhënë sqarimin për këtë.

Qytetarë serbë protestuan edhe të hënën para objekteve komunale në Zveçan, Zubin- Potok e Leposaviq, duke kërkuar largimin e kryetarëve të zgjedhur nga aty.