LAJMET E MBRËMJES

Hovenier përsërit shqetësimet e SHBA-së për vendimet e Qeverisë Kurti

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur shqetësimet pas miratimit të Ligjit për Këshillin Prokororial dhe atij për Komisionin e Pavarur të Mediave. Ai ka theksuar se Qeveria duhet të sigurohet që ligjet të jenë në përputhje me normat evropiane

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë ai, disa zgjidhje të Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Gjatë një vizite në Gjakovë, të hënën, Hovenier ka përmendur miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin Prokurorial, për të cilët shprehën shqetësim ndërkombëtarët.

Sipas Hovenierit, tashmë nuk është sekret se Qeveria e SHBA-së ka disa shqetësime politike, të cilat i ka bërë Qeveria Kurti.

“Nganjëherë e ndiej se të gjithë dëshironi që të jeni psikiatër dhe të diagnostikoni ndonjë sëmundje mendore apo diçka të ngjashme. Ka shumë njerëz të cilët kalojnë kohë duke u brengosur me këtë çështje. Dua ta them atë që e them gjithmonë. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë, dhe kjo është arsyeja pse jam sot këtu me kryetarin e Gjakovës për të biseduar dhe avancuar segmentet që avancojnë rritjen ekonomike dhe vendeve të punës dhe të takohemi me përfaqësues të komuniteteve se çka mund të bëjë qeveria më shumë për ta”, ka deklaruar Hovenier.

Sipas tij, mbështetja për popullin e Kosovës nuk nënkupton edhe mbështetje për Qeverinë.

“Kam thënë shpesh: kemi qenë me popullin e Kosovës, jemi me popullin e Kosovës dhe do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që do të pajtohemi me çdo zgjidhje të bërë nga çdo qeveri e Kosovës. Qeveria ime bashkë me disa partnerë që punojmë, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Bashkimi Evropian, kemi disa shqetësime për disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti”, ka shtuar ai.

Po ashtu ka thënë se Qeveria duhet të sigurohet që ligjet të jenë në përputhje me normat evropiane.

“Kam pasur rastin që të bisedoja me zyrtarët e Qeverisë lidhur me këtë çështje. Çfarë dëshiroj të them është se e kuptoj që ka ndjenja mjaft të fuqishme lidhur me atë se a janë ligjet në përputhje me normat, standardet evropiane apo jo. Këshilla e Qeverisë amerikane për Qeverinë e Kosovës është gjithmonë e njëjta, që të sigurohen që çfarëdo legjislacioni i cili kalon, miratohet nga Kuvendi i Kosovës, të jetë në përputhje me normat evropiane, sepse kjo do të lehtësojë procesin që dëshirojmë të shohim Kosovën duke iu përafruar Bashkimit Evropian”, ka theksuar diplomati amerikan.

Ai ka shtuar se duan që Kosova të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe organizatave të tjera evropiane.

“Prandaj mendojmë se nuk është e mençur që të ketë legjislacion i cili, gjithë ato organizata evropiane, Këshilli i Evropës, BE e kanë thënë që jo domosdo janë në përputhje me ato norma evropiane”, është shprehur Hovenier.

Me gjithë thirrjet, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut kanë miratuar dy ligje - atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial. Vendimmarrja u kritikua nga Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Miratimi i këtyre dy ligjeve u bë pa prezencën e deputetëve opozitarë, të cilët paralajmëruan se ato do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Qeveria e Kosovës e kishte mbrojtur Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke thënë se ai sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg.

Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria shkruan se projektligji për KPM-në është miratuar mbi parimet e respektimit të plotë të direktivës së Bashkimi Evropian - AVMS, harmonizimit të këtij projektligji me legjislacionin në fuqi dhe sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të veshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetues.