Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se për momentin SHBA-ja nuk është në gjendje të thotë se kush qëndron prapa sulmit të së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut. Por kryeministri Albin Kurti pas takimit me diplomatët perëndimorë të hënën, përsëriti se indikacionet tregojnë që sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë të mbështetur nga Serbia
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier dhe ai i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav, i kanë ofruar mbështetje qeverisë në zbardhjen e sulmit në kanalin e Ibër Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Pas takimit që patën me kryeministrin Albin Kurti, të hënën, dëmtimin e njërës prej arterieve kryesore të ujit në vend, diplomatët evropianë e cilësuan akt të tmerrshëm tek kërkuan vënie para drejtësisë të përgjegjësve.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara, dua të përsëris atë që kemi thënë tashmë se ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm të tmerrshëm ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike të vendit, duke rrezikuar ngrohjen, duke rrezikuar ujin e pijshëm. Shtetet e Bashkuara mbështesin një hetim gjithëpërfshirës. Ne i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë autoriteteve të Kosovës në këtë hetim. Mendojmë se është e rëndësishme që personat përgjegjës të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, ka thënë Hovenier.
Sipas ambasadorit, nga sulmi janë vënë në rrezik qytetarët e Kosovës.
“Ne e dimë se ata persona duhet të mbajnë përgjegjësi. I përgëzojmë autoritetet e Kosovës për reagimin emergjent për të ndihmuar në zgjidhjen e asaj që mund të ishte një situatë e tmerrshme. Jemi të gatshëm ta mbështesim edhe popullin e Kosovës në këtë dhe siç thamë, solidarizohemi me Qeverinë e Kosovës. Po ashtu e mirëpresim shumë mbështetjen që është dhënë nga Bashkimi Evropian, EULEX-i, KFOR-i dhe të tjerët”, ka shtuar Hovenier.
E ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav rikonfirmoi qëndrimin e shefit të tij në Bruksel, Joseph Borrell, i cili sulmin e ka cilësuar akt terrorist.
Borrell e lëshoi deklaratën në ditën e tij të fundit si kryediplomat i BE-së, të shtunën.
“Ashtu siç e tha kolegu im amerikan, patëm një takim me kryeministrin Kurti dhe bashkësinë ndërkombëtare këtu. Kryeministri pati rastin të na informojë për zhvillimet e së premtes mbrëma. Pra, nga ana e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i Lartë Borrell ka bërë një deklaratë të zëshme dhe të qartë. Dhe nuk do ta përsëris sepse tashmë është publike”, është shprehur ai.
E i pyetur nëse Serbia qëndron prapa këtij sulmi, ambasadori Hovenier ka thënë se është herët të konstatohet një gjë e tillë.
“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, ka deklaruar Hovenier.
Ndërkohë kryeministri Kurti në takimin me ambasadorët e QUINT-it, BE-së dhe përfaqësues të shteteve tjera e ka akuzuar Beogradin zyrtar se qëndron pas këtij sulmi ku u dëmtua rëndë kanali i Ibër Lepencit, përmes të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentrali “Kosova B”.
“Kryeministri Kurti tha se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia. Ai i informoi diplomatët prezentë se Policia po i zhvillon hetimet, gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse. Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
Kurti ka folur edhe për rëndësinë e “ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq, sulme në vazhdimësi ndaj Republikës së Kosovës”.
“Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit”, shkruan në komunikatë.
Zyrtarë nga Serbia e kanë mohuar se qëndrojnë prapa sulmit tek kanë paralajmëruar inicim të hetimeve nga ana e tyre për ta zbardhur rastin e shpërthimit.
Lidhur me sulmin terrorist në Varagë të Zubin-Potokut, deri tash nga autoritetet e Kosovës janë arrestuar 10 persona të dyshuar për përfshirje.
Infrastruktura kritike e Kosovës ka përjetuar të premten e kaluar sulmin më të madh terrorist që nga paslufta, pasi kanali i Ibër-Lepencit u godit me eksplozivë nga persona deri tash të paidentifikuar.
Autoritetet e kanë rivendosur rrjedhën dhe kanë parandaluar kolapsin energjetik.
Pas bastisjeve të realizuara në disa lokacione, Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të madhe armatimi e municioni dhe ka arrestuar disa nga të dyshuarit.