Dita e Personave të Zhdukur u shënua të dielën me thirrje për drejtësi dhe zbardhje të fatit të afro 1,600 të pagjeturve nga lufta e Kosovës. Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se plaga e të zhdukurve nuk shërohet pa të vërtetën dhe pa drejtësinë. Homazhe për të nderuar jetën e këtyre personave të dielën bënë përfaqësues politikë e partiakë, teksa u shënua edhe 26-vjetori i masakrës së Mejës
Plaga e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë nuk mund të kthehet në diçka normale deri sa të zbardhet fati i të gjithë atyre që u morën me dhunë nga forcat serbe, ka thënë Andin Hoti, kryetar i Komisionit për Personat e Zhdukur.
Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të dielën, udhëheqës institucionalë e partiakë bënë homazhe tek Monumenti i Personave të Zhdukur, që ndodhet pranë Kuvendit të Kosovës.
E kryetari i Komisionit, Andin Hoti, kërkoi drejtësi për rreth 1 mijë e 600 persona që vazhdojnë të jenë të pagjetur.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet, pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje”, ka thënë Hoti.
Homazhe u bënë edhe në Parkun Memorial të të Pagjeturve, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mbajti një minutë heshtje për të zhdukurit, si edhe për të vrarët në masakrën e Mejës.
Këtë masakër, më të madhen të shkaktuar nga forcat serbe në luftën e fundit ku u vranë 376 shqiptarë, e kujtoi edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Sot me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi. Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet””, ka shkruar Osmani.
Gjatë viteve 1998-1999 në luftën e zhvilluar në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë civilë.
Mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve nëpër varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.
Ndërsa, afro 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të mbesin të pagjetur, prej të cilëve shumica janë shqiptarë.