Policia e Kosovës në një aksion në Mitrovicë të Veriut ka sekuestruar një sirenë me gjashtë zmadhues, të cilët përdoreshin nga strukturat paralele serbe në Mitrovicë të Veriut për të grumbulluar qytetarët në protesta. Në Policinë e Kosovës kanë thënë se këta zmadhues janë përdorur për prishje të rendit dhe qetësisë publike
Sirenat alarmuese për mobilizim të serbëve, që lëshoheshin nëpërmjet altoparlantëve nën menaxhim të strukturave ilegale në veri, nuk do të dëgjohet të paktën në Mitrovicën e Veriut.
Policia e Kosovës në një aksion në këtë qytet ka sekuestruar të enjten një sirenë me gjashtë zmadhues të zërit.
Konfiskimi i këtyre pajisjeve është kryer në afërsi të përmendores “Car Llazari” në veri të Mitrovicës.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se këta zmadhues janë përdorur për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Konfirmojmë konfiskimin e një sirene të alarmit dhe gjashtë zmadhues të zërit në Mitrovicë të Veriut. Kjo sirenë dhe këta zmadhues zëri kanë shërbyer në periudha të ndryshme kohore për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Elshani.
Ato zakonisht lëshoheshin kur nga serbët lokalë kërkohej të organizoheshin për ndonjë ngjarje, e veçmas për t’u mbledhur në kohë të shpejtë e për të penguar aksione të policisë.
Sa herë që lëshoheshin alarmet në veri të Kosovës, grupe të organizuara serbësh dilnin në rrugë.