Prokurorët e Speciales nuk kanë arsye ta refuzojnë kryeministrin Albin Kurti, që ta intervistojnë në Qeveri, ka thënë të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në një konferencë për media, Haxhiu nuk ka pranuar të tregojë se kush janë zyrtarët e lartë qeveritarë që më parë kanë dhënë dëshmitë nga zyrat e tyre. Nuk ka dhënë detaje edhe kur është pyetur në lidhje me datat që Qeveria i ka propozuar Prokurorisë Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka refuzuar që të bëjë të ditur emrat e ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë, që, sipas saj, janë intervistuar nga Prokuroria në zyrat e tyre.
Haxhiu, e cila ka kërkuar që kjo praktikë të zbatohet edhe me rastin e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se nëse Prokuroria Speciale do dëshminë e tij, atëherë intervistimin ta kryejë në Qeveri.
“Konsideroj që nuk ka asnjë arsye që prokurorët të cilët thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, nuk ka asnjë arsye që ata të refuzojnë t`i përgjigjen kërkesës së kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri Kurti. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duam të flasim”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, një veprim i tillë nuk do të ishte i pazakontë e as i paligjshëm.
Përveç për ish-zyrtarët, ministrja Haxhiu nuk ka pranuar të shpalosë as datat që Qeveria i ka propozuar Prokurorisë Speciale për intervistimin e Kurtit.
“Nuk i konvenon prokurorisë me dhënë informacione. Kur nuk i konvenon nuk japin informacione madje e dinë shumë mirë se si i kanë pritur edhe si kanë dalë prokurorët prej zyrave të niveleve të larta. Informacionet për këto i kemi. I kemi siguruar ndaj vetë Prokuroria Speciale”, ka shtuar ajo.
Përgjigjet në lidhje me pyetjet e vazhdueshme që iu bënë për këtë çështje, Haxhiu i konsideroi të tepërta.
Kësisoj pa përgjigje mbeten edhe pyetjet për arsyet që ka Kurti për të mos u paraqitur në Prokurorinë Speciale, ndërtesa e të cilit institucion është disa metra larg nga ajo e Qeverisë.
“Besoj që gjithçka tjetër është e tepërt se mjaftueshëm fola për këtë çështje”, ka shtuar ajo.
Lidhur me kërkesën e Qeverisë që intervistomi të kryhet në zyrat e saj, përgjigje të hënën nuk kanë kthyer nga Prokuroria Speciale.
Javën e shkuar, në një përgjigje për KOHËN, nga Qeveria kanë bërë të ditur se kryeministri Kurti ka pranuar ftesën e dytë nga Prokuroria për intervistim. Të njëjtës, ai i është përgjigjur me propozimin e tri datave të përshtatshme për të, dy prej të cilave janë këtë javë.
Prokuroria nuk ka treguar se për cilin rast e ka ftuar Kurtin dëshmitar, por është raportuar se bëhet fjalë për rezervat shtetërore.