Në paraqitjen e tij të parë për rastin më të ri të Speciales lidhur me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ish-presidenti Hashim Thaçi i kërkoi Gjykatës Speciale që t’i respektohen të drejtat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Thaçi i udhëhoqi tri grupe me qëllim që të ndikonin te dëshmitarët për të dhënë dëshmi shfajësuese në gjykimin tjetër për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
Pasi u pyet se a do të deklarohet që në seancën e parë mbi akuzat e reja të ZPS-së, ai kërkoi që Gjykata Speciale t’ia respektojë të drejtat. Thaçi u shpreh i befasuar me aktakuzën.
“Krejt papritmas para dy-tre ditësh u njoftova për aktakuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por nuk jam pjesë e garës elektorale”, ka thënë Thaçi.
Ai në fjalimin e tij, ka thënë se nuk i shkel ligjet.
E mbi fajësinë, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës nuk deshi të deklarohet në seancën e së dielës.
“Unë nuk paraqes rrezik politik për askënd. Unë besoj dhe i respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Kërkoj edhe sot nga të gjithë, kudo që jeni ulur në cilëndo anë, në cilëndo uniformë që jeni në këtë sallë, të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës. Unë nuk e kam pasur mundësinë që ta diskutoj në thelb dokumentin e konfirmuar, andaj do të deklarohem në kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor, ka thënë Thaçi.
Shqetësimet që i ngriti janë në një vijë me kërkesën e përbashkët të mbrojtjes, e cila dy javë para se të ngrihej kjo aktakuzë, kërkoi që Gjykata t’i shmangë veprimet që e krijojnë përshtypjen se po ia mban anën Prokuroria me pyetje sugjeruese.
Në rastin e ri, Thaçi dyshohet se shpalosi informacion lidhur me dëshmitarët e mbrojtur, se nuk iu bind urdhrave gjyqësorë që ndalojnë shpalosjen e këtyre informatave, si dhe ka tentuar t’i pengojë Prokurorinë dhe Gjykatën në punën e tyre.
“Hashim Thaçi ishte udhëheqësi dhe organizatori i grupit. Ai shpalosi informacion konfidencial që i ishte paraqitur gjatë gjykimit, me çka bëri (përpjekje për) pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Ai iu dha udhëzime Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe të tjerëve që të ndikojnë në mënyrë të kundërligjshme mbi dëshmitarët e ZPS-së”, thuhet në aktakuzën e re.
Në aktakuzën e re, në tri pika përmendet ish-presidenti për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në katër të tjera për shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe në tri pika të tjera për mosbindje ndaj urdhrave të Gjykatës.
Pos Thaçit, Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt e Fadil Fazliut si të akuzuar, në aktakuzë përmenden edhe ish-këshilltarët e Thaçit, si Artan Behrami dhe Blerim Shala.
Ndërkohë, në seancën e së dielës për këtë rast, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzat për mosbindje ndaj Gjykatës dhe për përpjekje për ta penguar punën e Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale në Hagë.
E pos Thaçit, edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk u deklarua mbi fajësinë.
Fadil Fazliu u shpreh se e ndien veten përgjegjës në akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Kam biseduar edhe me avokatin kah një orë e diçka, por unë jam i pafajshëm. Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë ai.
Avokatët e Thaçit, Smakajt dhe Fazliut paraqitën argumente të ndryshme për lirimin e të pandehurve.
Ndër ta, avokati i Fazliut, Michael Pestman, i kërkoi sqarim Prokurorisë gjatë seancës se si është e mundur që i akuzuari Hajredin Kuçi është i lirë, përderisa pesha e akuzave është e ngjashme. Por Prokuroria nuk komentoi gjatë seancës.
Ndërsa argumentoi se Shqipëria është një nga vendet ku të pandehurit mund të ikin dhe të jenë të pakapshëm për Specialen.
E gjyqtarja Majorie Masselot konstatoi se të akuzuarit mund të arratisen dhe me lënien e tyre në liri ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët.
Në aktakuzë thuhet se vitin e kaluar i akuzuari Fahri Fazliu, bashkë me të birin që nuk është i akuzuar në këtë rast, vepruan sipas udhëzimeve të Thaçit për ta kontaktuar një dëshmitar.
“Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliu e diskutuan edhe mënyrën se si duhet të jepen udhëzimet që i dha Thaçi, duke u pajtuar që i biri i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, do ta kontaktojë Dëshmitarin 1, për ta caktuar një takim. Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu u takuan paraprakisht me Dëshmitarin 1 më 29 qershor 2023 pas shkëmbimit të mesazheve më 26 qershor 2023. Më 3 korrik 2023, Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me Dëshmitarin 1 më vonë gjatë ditës, në përputhje me udhëzimet që Hashim Thaçi ia dha Fadil Fazliut”, thuhet në aktakuzë.
E lidhur me Smakajn, ZPS-ja pretendon se i ka treguar si të dëshmojë një dëshmitari tjetër.
“Më 9 shtator 2023, Bashkim Smakaj, Blerim Shala, Artan Behrami dhe persona të tjerë e vizituan Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Gjatë vizitës, Hashim Thaçi dha informacion konfidencial lidhur me një dëshmitar të ZPS-së të rastit “Thaçi dhe të tjerët” dhe iu tha në mënyrë të përsëritur një apo më shumë prej vizitorëve të tij që t’i japin udhëzime Dëshmitarit 2 se si të dëshmojë në rastin e tij. Hashim Thaçi e cilësoi dëshminë e Dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime për atë se çka duhet të thotë Dëshmitari 2 gjatë dëshmisë”, thuhet tutje në aktakuzë.
Të akuzuarit e tjerë të këtij rasti Hajredin Kuçi dhe Isni Kilaj, pritet të paraqiten në seancë të parë të hënën.
Në aktakuzë përmenden tri grupe njerëzish, që u udhëhoqën nga Thaçi: grupi i Kilajt, ai i Fazliut dhe i Smakajt, të cilët sipas Prokurorisë, ishin aktivë nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023 në ndikim të dëshmitarëve.
Përpjekja, sipas ZPS-së, ishte ndikimi te gjashtë dëshmitarë në rastin më të madh të Speciales.
Në rastin më të madh të Speciales, pos Thaçit, të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ata akuzohen për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.
Që të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.