LAJMET E MBRËMJES

Hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit

1 mijë e 46 fletëvotime të dërguara me postë janë shpallur të vlefshme nga rivlerësimi i 1631 sosh sa u patën konstatuar të pavlefshme fillimisht. Rinumërimi i tyre ka përfunduar të mërkurën. E të enjten, KQZ-së i është hapur rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare, pas vendimit të Gjykatës Supreme për të refuzuar ankesën e vetme që e pati në shqyrtim

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është hapur rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. 

Të enjten, Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës kundër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk dhanë ndonjë datë së kur mund të shpallen rezultatet.

Thanë se në lidhje me ankesat e parashtruara do të marrin edhe një herë konfirmimin nga institucionet kompetente.

“Para thirrjes së mbledhjes për shpalljen e rezultateve, KQZ do të marrë konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme nëse në këto institucione ka ndonjë ankesën që kërkon vendimmarrjen e tyre dhe nëse KQZ mund të procedoje me shpalljen e rezultateve përfundimtare”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ndërkohë, të mërkurën ka përfunduar rivlerësimi i 1.631 fletëvotimeve të ardhura me postë, të cilat u patën shpallur të pavlefshme, pasi nuk ishin të printuara mirë.

Nga 1.631 sosh, të vlefshme janë vlerësuar 1.046, derisa të pavlefshme mbetën 585.

Nga rinumërimi i tyre, numri më i madh i votave i shkoi Lëvizjes Vetëvendosje - 743, pasuar nga PDK-ja me 114, LDK-ja me 104 e AAK-ja me 27.