LAJMET E MBRËMJES

Hapet rruga për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta të Serbisë

Votimi i së martës është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe. Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti

Parlamenti Evropian ka bërë të martën një hap të madh drejt përfshirjes në procesin e liberalizimit të vizave edhe për shtetasit e Serbisë me banim në territorin e Kosovës e që kanë pasaporta të lëshuara nga drejtoria koordinuese me seli në Beograd.

Bartësit e pasaportave të tilla nuk kanë mundur të përfitonin nga liberalizimi i vizave për Serbinë, ndërsa kur u hoqën vizat për qytetarët e Kosovës doli nga komisioni propozimi që edhe bartësit e këtyre pasaportave të lirohen nga detyrimi për të pasur viza për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen.

Raportin që u miratua të martën me 34 vota në favor dhe vetëm 7 kundër e kishte përpiluar deputeti nga Sllovenia, Martiash Nemec. Propozimin për të hequr vizat edhe për bartësit e këtyre pasaportave e kishte dhënë Komisioni Evropian qysh në nëntor të vitit të shkuar.

Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar këtë propozim duke thënë se ai e shkel integritetin territorial të Kosovës dhe duke pohuar se të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë edhe ata me përkatësi etnike serbe, mund të pajisen me pasaporta biometrike të Kosovës me të cilët tashmë mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane.

Për më tepër, Kosova kishte paraqitur vërejtje edhe për faktin se Serbia në ato pasaporta përmend vendbanimet në Kosovë sikur të jenë në territorin e Serbisë.

Por vërejtjet e Kosovës nuk janë marrë parasysh nga tri institucionet e Bashkimit Evropian. 

Raportuesi Martiash Nemec ka thënë pas votimit se me këtë vendim, që ai e quajti teknik, nuk është bërë përpjekje për të zgjidhur mospajtimet mes Kosovës e Serbisë, por për të arritur një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve. 

Për t’u bërë i plotfuqishëm ky vendim, ai tash duhet të kalojë në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe kjo do të jetë pikërisht në seancën e fundit para se Parlamenti të shpërbëhet, pasi që do të ketë zgjedhje evropiane në muajin qershor.