Posta e Kosovës ka hapur në orët e hershme të mëngjesit një degë të saj në Mitrovicën e Veriut. Një numër i vogël qytetarësh serbë e kundërshtuan veprimin nëpërmjet brohoritjeve e fishkëllimave. Zyrtarët qeveritarë e quajtën hapjen e kësaj pike të postës në veri ndërmarrje të rëndësishme për t’ua përmirësuar shërbimet të gjithë qytetarëve
Në hapësirën ku dikur ndodhej Posta e Serbisë, në qendër të qytetit të Mitrovicës Veriore, mëngjesin e së enjtes degën e saj e hapi Posta e Kosovës. Kundër dolën një numër i vogël qytetarësh serbë, të prirë nga subjekti politik Demokracia Serbe, tek ndërmorën aksion simbolik duke brohoritur e fishkëllyer.
E anëtarë të kabinetit qeverisës, të pranishëm në ngjarje, thanë se hapja e Postës është në funksion të përmirësimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se hapja e kësaj dege të Postës i kontribuon shërbimeve cilësore.
“Është me rëndësi për ne që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë qasje në shërbime cilësore dhe në kushte të barabarta. Në fakt, ky është edhe detyrim i Postës si operator nacional i shërbimeve postare dhe jemi shumë të lumtur që Posta po arrin ta përmbushë këtë mision”, tha Rizvanolli.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se rëndësia e hapjes së kësaj pike shkon përtej dërgesave postare.
“Qytetarët e kësaj ane tashmë kanë më shumë mundësi për të pranuar shërbime dhe për të bërë pagesa të ndryshme që janë të obligueshme për përditshmërinë e tyre, kështu që kjo është e rëndësishme. Sigurisht kjo është e rëndësishme dhe do të vazhdojmë me aktivitetet e tjera si Qeveri e Republikës së Kosovës për ta lehtësuar jetën e qytetarëve”, tha Krasniqi.
Kryeshefja e Postës, Nora Rraci, theksoi se kjo degë e Postës shërben edhe për kryerje të pagesave e edhe për telefoni.
“Kjo zyrë do të ofrojë të gjitha shërbimet postare. Do t’i ofrojë edhe shërbimet e institucioneve financiare jobankare. Gjithashtu, siç mund ta shihni, kemi ndarë edhe një kënd për shërbimet e Telekomit të Kosovës, ku qytetarët mund të shërbehen me produktet dhe shërbimet e Telekomit”, tha Rraci.
E menaxheri i Departamentit për Shërbime Postare në Postën e Kosovës, Ferki Maxhuni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shkëmbimet postare me Serbinë funksionojnë përmes Maqedonisë së Veriut.
“Në të ardhmen synojmë që të ketë shkëmbim ndërkombëtar të dërgesave mes Postës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Aktualisht nuk ka shkëmbim të tillë, mirëpo (v.j. formës së shkëmbimit që ekziston) i themi shkëmbim tranzitor i dërgesave dhe bëhet përmes Shkupit, por synojmë të kemi shkëmbim direkt”, tha Maxhuni.
Stefan Velkoviq, nënkryetar i Demokracia Serbe, e fajësoi Qeverinë e Kosovës se me veprimet e kohëve të fundit ua ka pamundësuar qytetarëve që t’i marrin pagat dhe pensionet e Serbisë.
“Kur nuk ka paqe për popullin, s’ka paqe as për Qeverinë... Në veri tash e katër vjet, e ndoshta edhe më herët, s’kemi paqe në kuptimin që nëse je nënë, pensionist apo i punësuar në institucionet publike (të Serbisë v.j.) je i detyruar të shkosh 70 kilometra në veri për ta marrë pagën. S’kemi paqe, meqë i kemi 10 baza ilegale të Policisë së Kosovës”, tha Velkoviq.
Hapja e degës së Postës u kritikua edhe nga drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tek e quajti si një tjetër veprim të njëanshëm të Kosovës në shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjeve nga dialogu.
Që nga paslufta Posta e Kosovës ka pasur vështirësi të operojë në veri të vendit. Por gjërat kanë ndryshuar sivjet - janë mbyllur nëntë pika të Postës në Serbisë dhe janë hapur nëntë të Kosovës.
Vitin e kaluar KOHA pati raportuar se me halle për fletëdërgesa zyrtare është edhe Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë, gjë që e kanë evidentuar vazhdimisht gjyqtarët se letrat nuk po shkojnë në destinacion. Vetë Gjykata Themelore e Mitrovicës që i mbulon edhe katër komunat veriore (përveç lëndëve shumë specifike që trajtohen në Prishtinë) ka thënë për kohën se mosfunksioni i duhur i Postës në veri të vendit për ta reflektohet në “vështirësi serioze në trajtimin e lëndëve”. Të dy këto gjykata përdorin policinë kur hasin në vështirësi të tilla.
Pas mbylljes se shërbimeve të Postës së Serbisë, BE-ja i ka bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të mos marrë veprime të njëanshme, duke thënë se kjo është çështjet postare dhe se duhet të diskutohen në dialogun e Brukselit. Ndërkohë “peizazhi” i sheshit “Car Lazar” ka ndryshuar gjatë këtij viti, meqë disa prej lokaleve në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit që mbaheshin ilegalisht nga serbë të veriut janë liruar dhe u janë lëshuar me qira bizneseve.
Kosova dhe Serbia, më 2013, në kuadër të dialogut në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshjen për Telekomin, e cila legjitimonte praninë e Postës së Serbisë në Kosovë. Sipas saj, palët pajtohen që lidhur me çështjet postare të merren vesh në të ardhmen.