LAJMET E MBRËMJES

Grupi KOHA padit Faruk Mujkën për shpifje dhe për fyerje

Padi për shpifje dhe fyerje ka ngritur Grupi KOHA të premten kundër kryeshefit të ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, për shpifje dhe fyerje. Padia u ngrit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pasi Mujka dy javë më parë i krahasoi KTV-në dhe autoren e emisionit “Konfront” me mediat e kontrolluara të Rusisë. E, avokati Arianit Koci tha se padia për kompensim ndaj gjuhës së përdorur nga një zyrtar publik duhet të shërbejë si shembull edhe për raste tjera të tilla

Grupi KOHA ka paditur të premten shefin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, për fyerje dhe shpifje.

Padia është ngritur në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga zyra e avokatisë “Koci&Vokshi”, që e përfaqëson Grupin KOHA.

Dy javë më parë Mujka, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, e krahasoi KTV-në dhe autoren e emisionit “Konfront”, Mimoza Koprani-Muçaj, me mediat e kontrolluara nga Rusia. E për këtë avokati Arianit Koci tha se Mujka do të përballet në gjykatë.

“Krahasimi i një prej mediumeve më të besueshme dhe më kredibile në regjion, siç është grupi Koha, me mediumin ‘Sputnik’ dhe ‘Rusia Today’ të Rusisë është jo vetëm abuzim me fjalën e lirë përmes shpifjes dhe fyerjes, por është në një mënyrë edhe ftesë për linçim ndaj gazetarëve. Prandaj, kjo është bërë fenomen dhe Grupi KOHA më nuk do të tolerojë, çdo shpifje dhe fyerje do ta adresojë përmes padive në gjykatë, ka deklaruar avokati Koci.

Koci tha se padia për kompensim ndaj gjuhës së përdorur nga një zyrtar publik duhet të shërbejë si shembull për raste tjera të tilla.

“Shkelja është aq edhe më e madhe kur bëhet prej zyrtarëve qoftë partiakë, qoftë zyrtarëve shtetërorë apo në institucione publike. Pra, ata duhet ta kuptojnë që kanë një përgjegjësi edhe më të madhe në raport me fjalën e thënë dhe kjo besoj që do të jetë edhe mësim për të tjerët, jo vetëm për zotin Mujku, që të kenë kujdes se si po shprehen për shkak se po vijmë në situata ku gazetarët po linçohen, po sulmohen mediumet, po sulmohen kameramanët, ju e keni parë se si gjuha është ashpërsu edhe me komente në portale apo në Facebook, prandaj kësaj duhet me i ardhë fundi”, u shpreh tutje ai.

Grupi KOHA e dënoi me anë të një reagimi publik në fillim të muajit sulmin që Mujka ua bëri KTV-së dhe autores së “Konfrontit”. Teksa në këtë emision transmetohej intervista me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zyrtari i partisë në pushtet, përmes një postimi në rrjetet sociale, i kritikoi pyetjet që i shtroi Koprani–Muçaj, duke e krahasuar KTV-në dhe autoren me mediet e kontrolluara të Rusisë, “Sputnik” dhe “Rusia Today”.

Mujkës i kanë penguar pyetjet rreth kostos së riparimit të kanalit të “Ibër-Lepencit” dhe të kredibilitetit të tij.