Përfaqësimi i grave në pozita menaxheriale dhe në drejtim të bordeve të ndërmarrjeve publike, me gjithë shkallën në rritje gjatë viteve të fundit, është më i ulët sesa e parasheh Ligji për Barazinë Gjinore e që është i integruar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, tregoi një raport i Institutit GAP. Derisa Ligji parasheh përfaqësim të barabartë mes burrave dhe grave, raporti thekson se në 14 nga 16 ndërmarrjet e analizuara, në dhjetorin të sivjetmë mbi 40 për qind e anëtarëve të bordeve janë gra
Trend më pozitiv në përfaqësimin e grave në borde të ndërmarrjeve publike, e edhe në pozita të larta menaxheriale, është evidentuar gjatë viteve të fundit, ka treguar një raport i Institutit GAP, i publikuar të martën.
Sipas të dhënave statistikore të organizatës, në 14 nga 16 ndërmarrjet e analizuara në dhjetorin e sivjetmë, mbi 40 për qind e anëtarëve të bordeve janë gra, teksa në vitet 2021-2023 bordet e ndërmarrjeve Trepça, Kompania për Menaxhimin e Deponive, Trainkos e KRU Drini i Bardhë përbëheshin vetëm nga burrat.
Anisa Zogaj, hulumtuese në Institutin GAP, ka thënë në konferencë për media gjatë lansimit të raportit se me gjithë rritjen në shifra, nuk po respektohet Ligji për Barazinë Gjinore, i integruar edhe në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, që parasheh barazi mes grave e burrave në ndërmarrje publike.
“Ndër vite, shumë nga ndërmarrjet publike nuk kanë zbatuar Ligjin për Barazinë Gjinore, i cili është i integruar edhe në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, që obligon përfaqësim të barabartë të burrave dhe grave në pozitat e larta udhëheqëse. Shkalla e punësimit të grave nëpër ndërmarrje publike është jo-proporcionale me atë të burrave, si në nivelin drejtues, po ashtu edhe ne punën në administratë dhe punën në terren”, ka thënë Zogaj.
Ndërsa hulumtuesi Besart Zhuja është shprehur se numri i kryeshefeve është i ulët, teksa ka theksuar se ka edhe ndërmarrje pa asnjë grua në pozitë udhëheqëse.
“Aktualisht, hendeku mes burrave dhe grave për kryeshef ekzekutiv vërehet qartë, i kemi vetëm dy nga 16 ndërmarrjet e prezantuara udhëhiqen nga gratë, derisa 14 ndërmarrje si kryeshefa kanë burra. Derisa në KEK, Ibër-Lepenc, Drinin e Bardhë dhe Hidroregjionin jugor nuk ka asnjë grua në pozitat e larta”, ka thënë ai.
Sipas këtij raporti, vetëm 4 për qind është pjesëmarrja e grave në këto ndërmarrje publike sa i përket punës në terren.
Raporti “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në ndërmarrjet publike qendrore në Kosovë” ka evidentuar edhe trend të rënies së numrit të punëtorëve në shumicën e ndërmarrjeve publike. Ndër faktorët kryesorë për këtë u përmendën pensionimi i punëtorëve, pakot për ndërprerjen vullnetare të marrëdhënies së punës, si dhe riorganizimi i vendeve të punës.
GAP-i konstatoi po ashtu se të dhënat zyrtare në raportet e ndërmarrjeve për kategori të ndryshme shpesh janë të pasakta, shkaku i mospërditësimit të skemës organizative në mënyrën që e shpërfaq me saktësi numrin e të punësuarve në secilin divizion.