LAJMET E MBRËMJES

Gjykata s’e fajëson Andi Pajazitin për vrasjen e Kastriot Ramadanit në “Bon Vivant”

Nëpërmjet aktgjykimit të shkallës së parë, nuk është vërtetuar akuza e Prokurorisë ndaj Andi Pajazitit, i akuzuar për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, kur ai ka shkrepur plumba ndaj Kastriot Ramadanit. Ai është liruar nga kjo akuzë, pasi që gjykata ka vlerësuar se akti është kryer në vetëmbrojtje. E, familjarët e viktimës Ramadani kanë njoftuar se u ka humbur besimi edhe në prokurori e edhe në gjykatë

Andi Pajaziti është liruar të premten nga akuza për vrasjen e Kastriot Ramadanit, më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Prokuroria e ka akuzuar atë për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” gjatë një konflikti fizik me viktimën, porse gjyqtari, Eroll Gashi, ka vlerësuar se akti është kryer në vetëmbrojtje.

“Lirohet nga ky dispozitiv i aktakuzës, sepse ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme”, ka thënë gjyqtari.

Gashi e ka arsyetuar vendimin, duke thënë se viktima Ramadani e ka qëlluar me armë zjarri të pandehurin Pajaziti, ndërsa paraprakisht e ka goditur në kokë me shishe xhami.

“Për shkak të goditjes së fortë mendore dhe pa fajin e tij, pa menduar për pasojat, e nxjerr armën nga brezi, nga ana e djathtë dhe në të njëjtën kohë edhe i ndjeri Kastriot Ramadani nxjerr armën nga brezi dhe të dy shtien me armë ndaj njëri-tjetrit”, ka deklaruar ai.

Familjarë të viktimës Ramadani nuk kanë marrë pjesë në proces gjyqësor që nga 10 dhjetori, kur kanë njoftuar se u ka humbur besimi edhe në prokurori e edhe në gjykatë.

E, Pajaziti nuk është liruar nga të gjitha akuzat. Ai është dënuar me dy vjet burgim për armëmbajtje pa leje.

“Andi Pajaziti ka mbajtur në pronësi, në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, armën e tipit ‘Smith’ të kalibrit 9 milimetërsh me të cilën e ka goditur të dëmtuarin”, është shprehur gjyqtari Gashi.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit është elaboruar edhe roli i Dukagjin Lekajt në këtë ngjarje, e i cili ndodhet në arrati. Në bazë të aktgjykimit të shpallur, ai ka qenë i pari që ka kontaktuar me Pajazitin.

“E fton i pandehuri Dukagjin Lekaj që të shkojë e të ulet te tavolina, ku ishte i ulur tani i ndjeri Kastriot Ramadani. Pasi ulet i pandehuri Andi Pajaziti fillon të bisedojë me ta dhe të pandehurin Dukagjin Lekaj dhe pas pak fillon të tensionohet situata”, ka theksuar Gashi.

E, gjashtë të dëmtuarit që kanë marrë lëndime kryesisht nga arma e zjarrit, me të cilën ka shtënë Andi Pajaziti, gjykata i ka udhëzuar për realizimin e së drejtës për t’u dëmshpërblyer nëpërmjet kontestit civil.