LAJMET E MBRËMJES

Gjykata liron nga akuza ish-deputetin e LVV-së

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për veprën penale “Sulm” anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. Kurteshi akuzohet se gjatë kohës së pandemisë e kishte shtyrë një zyrtar të Komisionit Zgjedhor pasi ai nuk e kishte vendosur maskën

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi, është liruar të martën nga akuza për veprën penale “Sulm” nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kurteshin, prokuroria e mbante përgjegjës për sulm ndaj zyrtarit të KQZ-së, Adnon Berisha, pasi nuk i ishte bindur kërkesës për ta vendosur maskën në kohë pandemie.

“Në harmoni me nenin 363, paragrafi 11.3, lirohet nga aktakuza, sepse si në dispozitiv të aktakuzës, ishte pretenduar se i pandehuri kishte kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1., pasi që për veprën për të cilën akuzohet u vërtetua që nuk përbën vepër penale”, ka thënë gjyqtari Sabit Sadikaj.
Kurteshi nuk ishte i pranishëm në seancë.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm dhe ka theksuar se vetëm e ka shtyrë të dëmtuarin, e madje nuk ka hasur as në rezistencë.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se Kurteshi nuk i ka përmbushur elementet e veprës penale.

“Nga faktet e vërtetuara, dëgjimi i dëshmitarëve dhe provat që gjenden në shkresat e lëndës, nuk arriti të vërtetohej se ai ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet apo vepra penale saktësisht me të cilën ngarkohet nuk paraqet elementet e veprës penale të sulmit. Në këtë rast kemi të bëjmë me plotësimin e elementeve të veprës së kundërvajtjes nga Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Kurteshi ishte deputet në Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së gjashtë dhe është përfaqësues i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 2020.