LAJMET E MBRËMJES

Gjykata cakton arrest shtëpiak për Nikçin e Shalakun

U është caktuar masa e arrestit shtëpiak kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, që janë ndaluar nën dyshimin për keqpërdorim detyre. Në seancën e së shtunës, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke e kualifikuar atë të pabazuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar të shtunën masën e arrestit shtëpiak kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.

Ata janë ndaluar të enjten nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën e së shtunës, Gjykata e vlerësoi të pabazuar kërkesën e Prokurorisë që ndaj tyre të caktohet masë paraburgimi. Por, masa e sigurisë që caktoi është arrest shtëpiak, dhe për këtë gjykata ka listuar disa arsye.

“Ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri, të njëjtët mund të fshihen apo të ikin me qëllim të shmangies nga prania e tyre në fazat e mëvonshme të zhvillimit të kësaj procedure penale, si dhe nëse të njëjtët mbrohen në liri, do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprave penale, apo duke ndikuar në të dëmtuar dhe dëshmitarë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pas seancës, avokati i Nikçit, Arianit Koci, tha se klienti i tij po përballet me proces të padrejtë dhe se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të gjykatës për arrest shtëpiak.

“Gjykata e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Klienti im është në arrest shtëpiak. Ai po përballet me një proces të padrejtë dhe unë do ta vazhdoj betejën. Unë nuk jam i kënaqur as me këtë vendim, për shkak se mendoj që nuk ka asnjë provë që e inkriminon klientin tim”, ka thënë avokati Koci.

E mbrojtja e Shalakut nuk ka pranuar të deklarohet rreth vendimit të Gjykatës.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit thuhet se Nikçi dyshohet që më 9 tetor të vitit të shkuar e ka shfrytëzuar pozitën e tij për të marrë vendime të kundërligjshme, duke e transferuar një punonjës në kundërshtim me rregulloret për shërbimin civil. Krahas kësaj, pretendohet se ai, më 26 dhjetor të vitit të kaluar, e ka autorizuar përdorimin e paligjshëm të pasurisë së institucionit, duke anuluar vendime të mëparshme në kundërshtim me ligjin.

E për Naim Shalakun, në kërkesën e Prokurorisë thuhet se ka nxjerrë vendim për pezullim nga puna të një punonjësi, me arsyetimin se do të kompensohej 50 për qind gjatë pezullimit.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nikçi dhe Shalaku u ndaluan të enjten për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.