Gjatë gërmimeve të zhvilluara në varrezat e lagjes “Arbanë” të Prizrenit janë gjetur mbetjet mortore të së paku një viktime të luftës. Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur kanë bërë të ditur se në këtë lokacion nga forcat serbe ishin varrosur kufomat e 11 viktimave të luftës, dhe se në verën e vitit 1999 ekipet ndërkombëtare kanë zhvarrosur mbetjet e 10 viktimave
Mbetjet mortore, të cilat dyshohet se janë të së paku një viktime nga periudha e luftës së Kosovës më 1999, janë zhvarrosur të enjten në varrezat e lagjes “Arbanë” të Prizrenit.
Sipas drejtuesve të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) gërmimet në këtë lokacion janë kryer pas analizës së të dhënave dhe të raporteve të ndryshme.
Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së këtij komisioni, ka bërë të ditur se tani do të vijojnë procedurat për identifikim nëpërmjet ekzaminimeve dhe analizave përkatëse.
“Gërmimet që kanë filluar sot paradite tashmë është konfirmuar që kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të minimumi një personi, viktimë e luftës, që potencialisht mund të jetë në listën e personave të zhdukur. Po them minimumi, meqë sigurisht janë pastaj procedurat e nevojshme të ekzaminimeve mjeko-ligjore përfshirë dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur”, ka thënë Gara.
Ai ka shtuar se dyshohet që në këtë lokacion forcat serbe kanë varrosur gjatë kohës së luftës së vitit 1999 kufomat e 11 viktimave të luftës dhe se në verën e vitit 1999 ekipet ndërkombëtare kanë zhvarrosur aty mbetjet e 10 viktimave të tjera.
“Nga analizat që ne i kemi bërë, nga vlerësimet paraprake që i kemi bërë si institucione si KQPZH në bashkëpunim me KNKK, IML dhe Drejtorinë për hetimin e krimeve të luftës kemi konkluduar që është më se e nevojshme të rikthehemi në këtë lokacion në përpjekje të gjetjes dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të një viktime të luftës”, ka theksuar Gara.
Andin Hoti, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka theksuar se ato të “Arbanës” në Prizren janë varrezat e treta në të cilat sivjet janë kryer punime për gjetjen e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës. Ai ka theksuar se kjo gjë e vështirëson tej mase punën.
“Për ekipet tona është goxha sfiduese, sepse jemi në lokacion ku gjithandej ka eshtra, dhe kur ka gjithandej eshtra të gjenden eshtrat e një personi që është potencialisht i kohës së luftës është pak sfiduese”, ka theksuar Hoti. “E dyta, e kam thënë disa herë, ne nuk kemi ndonjë bashkëpunim të mirëfilltë me Serbinë dhe nuk kemi pasur asnjëherë, pavarësisht se ata mund të thonë se kemi bashkëpunuar me Kosovën për shkak se ne i kemi edhe 1600 persona të zhdukur, dhe ne po mundohemi që këto informata që i marrim copa-copa, kudo që i gjejmë qoftë në ICTY, në EULEX e në shumë prej partnerëve tanë ndërkombëtarë, qoftë në të dhënat tona, qoftë dëshmitarët që i pranojmë kohë pas kohe t’i përmbledhim dhe pastaj të mundohemi t’i gjejmë lokacionet e sakta të këtyre personave”.
Javën e shkuar edhe në Bishtazhin të Gjakovës, për herë të dytë prej vitit 1999, janë rikthyer gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës, me ç’rast besohet se janë gjetur mbetjet e katër viktimave.