Janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut gjashtë serbë, të cilët dyshohet se i kanë sulmuar fizikisht zyrtarët policorë që kanë intervenuar për ta ndalur përleshjen midis tyre. Të dyshuarit është konstatuar se kanë qenë nën ndikimin e alkoolit. Për rastin kanë reaguar në Listën Serbe, që arrestimin e quajtën “brutalitet policor”, e kërkuan hetim urgjent nga Inspektorati Policor
Gjashtë serbë janë arrestuar mesnatën e së hënës, pasi i kanë sulmuar fizikisht tre zyrtarë të Policisë në Mitrovicë të Veriut.
Incidenti ka ndodhur kur Policia ka intervenuar për ta ndalur përleshjen fizike midis të dyshuarve.
Për lëndimet e pësuara, policët kanë marrë trajtimit mjekësor dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
“Arrestimi i të dyshuarve është bërë mbi dyshime të arsyeshme për përfshirje në një rast përleshje mes tyre, që ka ndodhur më datë 25.02.2025 në rrugën ‘Kral Petri’ në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht para kafenesë ‘Tre sheshira’. Pas ndërhyrjes së njësisë patrulluese për ta ndaluar rrahjen, të dyshuarit fillimisht i kanë ofenduar, e më pas edhe i kanë sulmuar zyrtarët policorë, ku tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Trajtimit mjekësor i janë nënshtruar edhe të arrestuarit. E pas kësaj, është konstatuar se ata kanë qenë nën ndikimin e alkoolit.
“Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ku të dyshuarit, pasi janë arrestuar, janë sjellë në stacion policor, ku u është bërë matja me alkool test dhe të njëjtit kanë rezultuar se janë nën ndikim të alkoolit, si më lart, gjithashtu të gjithë të dyshuarit kanë pranuar trajtim mjekësor”, ka bërë të ditur Policia.
Për arrestimin e gjashtë serbëve, ka reaguar të martën Lista Serbe. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ky subjekt politik e ka dënuar atë që e ka cilësuar “brutalitet policor” me rastin e arrestimit të të rinjve dhe ka kërkuar që Inspektorati Policor të ndërmarrë hetime lidhur me rastin.
“E dënojmë në mënyrën më të ashpër brutalitetin policor me rastin e arrestimit të gjashtë djelmoshave mbrëmë në Mitrovicë të Veriut dhe kërkojmë që Inspektorati Policor të ndërmarrë hetime në mënyrë urgjente ndërsa personat përgjegjës për këtë incident t’i suspendojë deri në përfundimin e hetimeve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Me vendim të prokurorit, personave të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për kryerje të veprës penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”.