LAJMET E MBRËMJES

Gërvalla BE-së: Nëse ju pëlqen draftstatuti, përcilleni vetë në Venecia

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk i takon Qeverisë së Kosovës që ta përcjellë në Komisionin e Venecias draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga BE-ja. Gërvalla i ka sugjeruar Brukselit zyrtar, që meqë i pëlqen drafti që ka përgatitur, ta përcjellë vetë për në Venecia. Por, njohës të rrethanave politike e kanë kritikuar idenë e re të kryeministrit përkitazi me këtë draft

Nuk është çështje e Qeverisë që draftin e BE-së për Asociacionin ta dërgojë në Komisionin e Venecias, ka thënë të shtunën ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, një ditë pasi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, u shpreh se i takon Kosovës të marrë këshilla juridike nga ky komision.
Në një intervistë për Kosovapress, Gërvalla theksoi se nëse BE-së i pëlqen drafti, le ta përcjellë vetë për në Venecia.

“Meqenëse iu pëlqen ai draft, le ta përcjellin në Komisionin e Venedikut dhe le të marrin verdiktin edhe të Komisionit të Venedikut. Por, nuk është një çështje që mund ta përcjellë Qeveria e Kosovës. Ai është një draft që nuk është i Republikës së Kosovës, ka thënë Gërvalla.

Dërgimin e draftstatutit të Asociacionit në Komisionin e Venecias ia sugjeroi BE-së këtë javë kryeministri Albin Kurti, si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së Brukselit zyrtar që këtë dokument Qeveria ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Por, në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha një ditë më parë se përfshirja e Komisionit të Venecias nuk parashihet në marrëveshjet, me të cilat Kosova u pajtua ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. BE-ja dhe QUINT-i i kanë bërë shumë të qarta qëndrimin dhe pritjet e tyre për hapat e ardhshëm që Kosova duhet t’i ndërmarrë në procesin e zbatimit të dy Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, përkatësisht referimin e Draftstatutit Evropian në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë kërkesën të pranueshme”, ka deklaruar Stano të premten. 

Idenë e fundit të kryeministrit për draftstatutin, e ka vlerësuar të gabuar analisti politik Abnor Sadiku.
Ai thotë se kjo shpërfaq pagatishmëri të Kosovës para faktorit ndërkombëtar për ta përmbushur obligimin e saj për themelimin e Asociacionit.

“Në rast se ky version dërgohet në Venecia pa u përcjellë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës i bie se Kosova nuk ka besim në institucionet e saj dhe në të njëjtën kohë tenton që Asociacionin ta hedhë diku tjetër dhe t’i lihet faji, në rast se ai është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, bashkësisë ndërkombëtare dhe jo Kosovës që praktikisht e ka pranuar atë si marrëveshje të Brukselit dhe në aneksin e Ohrit”, ka thënë Sadiku.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kthyen përgjigje nëse do t’i drejtohen vetë Komisionit të Venecias për të marrë këshilla juridike në raport me draftin e propozuar nga BE-ja për Asociacionin.

E, në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, Kosova dha zotimin se vetë do ta hartonte një draftstatut, në rast se anëtarësimi i Kosovës në Këshill përfshihet në agjendën e Komitetit. Por, hoqi dorë nga kjo, pasi ndërkombëtarët insistuan se e konsiderojnë si draft vetëm atë të propozuar nga BE-ja.

Ajo kërkoi nga aleatët ndërkombëtarë të Kosovës që të marrin parasysh propozimin, por theksoi se pas mosgatishmërisë për të trajtuar këtë temë, tashmë as qeveria s’ka optimizëm për t’i hyrë kësaj rruge. 

“Nuk mund ta dërgojmë atë draft, pasi e para, draftet nuk dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Draftet duhet të kalojnë në disa etapa para se të dërgohen në Gjykatë Kushtetuese. Ky draft në këtë formë, siç është i shkëputur nga pakoja në Bruksel, nuk mund të procedohet nga qeveria asnjë hap. Jo vetëm që nuk mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, por nuk mund t’i nënshtrohet proceseve të tjera, pasi ky është pjesë e një pakoje, të cilën ne nuk jemi të gatshëm ta shkëpusim. Çfarë kemi thënë ne, iu kemi propozuar partnerëve tanë që nëse ata konsiderojnë se me Serbinë në formë bilaterale mund të arrijmë sukses, atëherë ne si qeveri e përgjegjshme kemi treguar gatishmërinë tonë që të ulemi me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe të hartojmë një dokument i cili respekton rendin tonë kushtetues, por të njëjtën kohë plotëson disa nga kërkesat e komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë ajo. “Mirëpo, për këtë propozim tonin ende nuk kemi hasur në gatishmërinë e partnerëve tanë”.
Më herët, ministrja Gërvalla pati thënë se letra e saj është derivat i një letërzotimi që udhëheqësit shtetërorë ia patën përcjellë më herët Këshillit të Evropës dhe në të cilën janë zotuar për zbatim të marrëveshjes për Asociacionin, pas anëtarësimit në Këshill.