LAJMET E MBRËMJES

Gazetarja që synon t’i forcojë raportet Kosovë-Ukrainë

“Pavarësisht motit të ftohtë dhe të vranët, ndjeva ngrohtësinë që më dhanë njerëzit. Kur dëgjova herën e parë për Kosovën, vendosa të vija për të parë me sy të mi se si është jeta në Kosovë”, ka thënë Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase që është strehuar në Kosovë. “Nuk kam pasur mundësi që të shkruaj përpara për Kosovën, ngase nuk kam pasur asnjë koleg nga Kosova për ta marrë informatën e vërtetë, porse tash e kam”

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, nuk ka raportuar kurrë për Kosovën. Por, nga e diela ajo ka nisur të raportojë nga Prishtina.

Ajo ka mbërritur një ditë më parë në Kosovë, pas ftesës së Qeverisë për të pranuar gazetarë ukrainas dhe për t’ua mundësuar atyre kushtet punës në distancë. Programi “Gazetarët në Rezidencë”, është një nga ndihmat që Kosova i ka deklaruar për Ukrainën, prej që ky shtet është përballur me agresionin ushtarak të Rusisë.

Makey në një konferencë për media ka treguar se pse ka zgjedhur Kosovën, për t’u strehuar.

“Kam lexuar dhe kam dëgjuar përpara për Kosovën dhe e kam kuptuar që edhe njerëzit e tjerë që e kanë përjetuar luftën e njëjtë, mund të ndihen ashtu sikur që ndihemi ne, në këtë kohë sot”, ka thënë ajo. “Kur dëgjova për herë të parë për Kosovën, kam vendosur që të vij këtu, sepse më është dukur interesante” është shprehur ajo.

Ajo ka shprehur falënderimin për mikpritjen që i është bërë.

“Kur zbrita nga avioni, ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan. Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim ndihet në zemrën e popullit të Kosovës. Jam mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e saj për popullin e Ukrainës në këtë moment të vështirë. Fatkeqësisht, puna si gazetar në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme” ka thënë ajo.

Makey ka theksuar se mundësia që i është ofruar për të ushtruar profesionin e saj në Prishtinë do të bëjë që të forcohet miqësia me Ukrainën, vend ky që ende nuk ia ka njohur shtetësinë Kosovës.

“Ndihem e impresionuar prej bukurisë së Prishtinës. Pavarësisht motit të ftohtë dhe të vranët, ndjeva ngrohtësinë që më dhanë njerëzit. Kur dëgjova herën e parë për Kosovën vendosa të vij për të parë me sy të mi se si është jeta në Kosovë”, ka shtuar ajo. “Nuk kam pasur mundësi që të shkruaj përpara për Kosovën, ngase nuk kam pasur asnjë koleg nga Kosova për ta marrë informatën e vërtetë, porse tash e kam”.

Për të ndihmuar gazetarët ukrainas, kapacitetet i ka shtuar edhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për AGK-në. Është solidaritet dhe jam shumë krenar me punën që është bërë dhe do të bëhet. Po ashtu me gjithë vullnetin e kolegëve për të ndihmuar gazetarët nga Ukraina” ka thënë kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.

Avokatja Flutura Kusari, e cila është e angazhuar në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), ka bërë të ditur se ka edhe kërkesa të tjera nga gazetarët ukrainas për të ardhur në Kosovë. Ajo ka treguar edhe ndihmën që do të ndahet për një gazetar ukrainas.

“Kjo është gazetarja e parë, nga 20 sa po i presim. Kemi aktualisht disa kërkesa të tjera nga gazetarët nga Ukraina që dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe jemi në proces të verifikimit të tyre… Me buxhetin që është ndarë 150 mijë euro për gjashtë muaj, gazetarët që do të vijnë në Kosovë do të marrim 500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 euro për qira të banesës dhe rreth 1000 euro për udhëtim për të ardhur në Kosovë dhe kthyer në vendin e tyre kur të vjen koha e duhur”, është shprehur Kusari.

Qeveria e Kosovës u ka ofruar strehim 20 gazetarëve nga Ukraina. Për akomodimin e tyre janë ndarë 150 mijë euro. Ndërkaq, institucionet kanë shprehur gatishmërinë që të pranojnë edhe rreth 5000 ukrainas si refugjatë.