Ambasadori i Hungarisë në Kosovë shpalosi pengesat dhe arritjet e vendit që përfaqëson në mandatin 6-mujor për udhëheqjen e Presidencës së Bashkimit Evropian. Ani pse fokusi i tij nuk ishte te Kosova, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, adresoi shqetësimet e Kosovës për padrejtësitë rreth integrimit në BE
Hungaria muajin e kaluar mbylli mandatin 6-mujor për udhëheqje të Presidencës së Bashkimit Evropian. E Ambasada e këtij shteti në Kosovë mbajti takimin përmbyllës të përfundimit të këtij mandati, për të prezantuar sfidat dhe të arriturat e BE-së përgjatë kësaj kohe.
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, tha se e morën këtë detyrë në një periudhë jo të lehtë për BE-në, për shkak të situatave dhe rrethanave të jashtëzakonshme, në veçanti lufta Rusi-Ukrainë.
“Pra, më lejoni të citoj presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për Presidencën tonë. Presidenca juaj erdhi gjatë tranzicionit midis dy cikleve politike, kështu që është gjithmonë një sfidë. Megjithatë, numëroj shumë arritje gjatë këtij mandati”, ka thënë Bozsik.
E teksa po fliste për Kosovën, ambasadori Bozsik shtoi se gjatë mandatit të tyre kanë ftuar përfaqësuesit e Kosovës në secilin takim, në mënyrë që të jenë të informuar për zhvillimet e BE-së, si një shtet potencial për integrim në të.
Ndërsa zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, pati kritika duke thënë se Kosova bashkë me vendet fqinje kanë pritur një avokim më të madh nga Hungaria për këtë pjesë.
Gashi përmendi edhe zhgënjimin e Kosovës për mosheqjen e plotë të masave të padrejta të BE-së ndaj shtetit dhe kushtin për arritje të marrëveshjes së dialogut me Serbinë për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE është e panegociueshme dhe presim që Presidenca aktuale polake të mbajë një politikë zgjerimi të bazuar në merita dhe të qëndrueshme, pa paragjykime politike. E kjo duhet të fillojë me heqjen e plotë të masave të padrejta dhe antievropiane kundër qytetarëve të Kosovës dhe me fillimin e procesit të statusit tonë si vend kandidat”, ka thënë zëvendësministrja Gashi.
Ajo tha se BE-ja duhet të kërkojë llogari nga shteti serb për destabilizim të rajonit dhe sidomos për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Presidenca e Bashkimit Evropian ndërrohet çdo 6 muaj dhe pozita kalon midis vendeve anëtare. Prej një janarit 2025 këtë detyrë e ka Polonia.