LAJMET E MBRËMJES

GAP shtron nevojën për themelimin e Institucionit të Pavarur Fiskal në Kosovë

Në Kosovë mungon Institucioni i Pavarur Fiskal, që shumë vende të botës e kanë. Për themelimin e tij bëri thirrje instituti GAP, sipas të cilit, kjo trupë do të luante rol të rëndësishëm në monitorimin e politikave fiskale, mbajtjen e stabilitetit fiskal dhe përgatitjen, e po ashtu edhe monitorimin e parashikimeve makroekonomike

Donisa Fazliu

Instituti GAP ka shtruar nevojën që në Kosovë të themelohet një institucion i Pavarur Fiskal, për monitorimin e politikave fiskale, mbajtjen e stabilitetit fiskal dhe për parashikime makroekonomike.

Drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Blendi Hasaj, ka thënë në një tryezë të organizuar për këtë çështje, të martën, se shumë vende të botës kanë themeluar institucione të këtilla. 

E tek argumentoi nevojën që ngjashëm të veprojë edhe Kosova, ai përmendi shumë sfida me të cilat shteti përballet. 

“Është vërejtur se nga qeveria kemi një mosbashkërendim të dokumenteve vjetore, sikurse ai i buxhetit dhe disa dokumente të tjera afatmesme strategjike që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik në vend, mirëpo gjithmonë ka munguar pastaj një reagim institucional që e vë në pah këtë gjë”, ka thënë Hasaj.

Sanja Magjareviq-Sunster është ekonomiste për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, dhe tha se është nevojë urgjente themelimi i një institucioni të këtillë.

“Jetojmë në Evropë që është e ekspozuar për fat të keq ndaj konflikti ushtarak, zinxhirit furnizues që po shkurtohet, ristrukturohet, dhe kjo pasiguri sjell ndikim te cikli ekonomik. Një lloj rilindje e këshillave fiskalë ka ndodhur pas krizave fiskale globale dhe nevoja për krijimin e tyre është urgjente”, ka thënë Magjareviq-Sunster.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje Financiare, Hykmete Bajrami, është shprehur se me themelimin e Institucionit të Pavarur Fiskal, do të bëhej më i lehtë menaxhimi i buxhetit.

“Ekzistenca e një institucioni të tillë do ta bënte punën shumë më të lehtë, në qoftë se i kisha pasur analizat e sakta, të dhëna të sakta, nuk ish dashtë të shpenzoj orë e ditë të tëra që me analizuar tabela, shifra dhe të vijë tek disa analiza çfarë i kemi”, ka deklaruar Bajrami.

Sipas Raportit të Institutit GAP, i cili u publikua të martën, baza ligjore për Institucionin e Pavarur Fiskal në vendet e BE-së u iniciua në vitin 2011, kur u diskutua për nevojën e përfshirjes së institucioneve të pavarura fiskale në proceset e buxhetit.