Në një analizë të Institutit GAP për projektbuxhetin e vitit 2025, është theksuar mungesë e efikasitetit të institucioneve për të realizuar investimet kapitale. Sipas kësaj analize projektet që datojnë qysh para 16 vjetësh, figurojnë edhe në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Gjithashtu, në këtë raport kritikohen ndarjet buxhetore në shëndetësi
Për shkak të mosmiratimit në kohë të buxheteve nga kuvendet komunale, Prishtina, Gjilani dhe Zubin Potoku rrezikojnë ta kenë të njëjtin buxhet si në vitin 2024.
Në raportin e Institutit GAP mbi analizat e të hyrave dhe të shpenzimeve buxhetore të projektbuxhetit të vitit ardhshëm, të publikuar të martën, thuhet se mjetet nga rritja e buxhetit janë të destinuara kryesisht për pagat në sektorin publik, pensione dhe transfere sociale si dhe për skemat e punësimit.
Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, ka kritikuar institucionet në mosrealizimin e projekteve kapitale.
“Një analizë që e kemi përfshirë ka të bëjë me efikasitetin jo të madh të institucioneve për të realizuar investimet kapitale, një gjetje e raportit tregon se janë mbi 264 projekte në projektbuxhetin e vitit 2025 e për të cilat datojnë nga periudha 2008-2019, dhe të cilat marrin rreth 258 milionë euro në projektbuxhetin e vitit 2025. Andaj, si çështje do duhej të merrte fokusin e veçantë në mënyrë që të rritet efikasiteti dhe të lirohen mjetet për investime kapitale të reja dhe projekte te reja”, ka thënë Hasaj.
Edhe në vitin e ardhshëm komunat mund të përballen me mungesë të buxhetit, meqë as në këtë vit nuk janë parashikuar fonde rezervë për mbulimin e shpenzimeve të paparashikuara, të cilat shpesh lidhen me kontrata kolektive.
Sipas këtij raporti komunat e drejtuara nga PDK-ja do të përfitojnë 6.7 milionë, ato nga LDK-ja 5.6 milionë euro, ato nga VV-ja 5 milionë euro dhe komunat e drejtuara nga AAK-ja 3.4 milionë euro.
Hasaj ka shprehur kritika edhe për buxhetin e ndarë për shëndetësinë. Ka thënë se ka rritje prej 6 për qind për këtë sektor, por ka shtuar se Kosova është vendosur në vendin e dytë me shpenzime më të ulëta në rajon për këtë fushë.
“Në shëndetësi, për gjitha institucionet kyçe në këtë sektor është paraparë një buxhet prej rreth 359 milionë euro një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, kjo përfaqëson rreth 4 për qind % të BPV-së, duke e vendosur Kosovën pas vendeve të zhvilluara dhe të dytën me shpenzimet më të ulëta në rajon. Po ashtu një indikator i cili përmendet edhe në raportin për vendin është që qytetarët ende vazhdojnë të shpenzojnë shumë nga xhepi i tyre si përqindje e gjitha shpenzimeve që bëhen për sektorin e shëndetësisë diku 30 deri në 40 për qind”, ka deklaruar Hasaj.
Sipas drejtuesve të GAP-it, Ministria e Mbrojtjes do të ketë rritje të buxhetit prej rreth 55 milionë eurosh. Nga 153 milionë euro sa e pati në vitin 2024, vitin e ardhshëm do ta ketë 208 milionë euro.