Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka pranuar se po përballen me probleme sa i përket furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë të Kosovës. Në raportimin ku deputetët opozitarë e problemtarizuan këtë çështje, ai ka thënë se po kërkohet zgjidhje afatgjate. Sipas tij, aktualisht FSK-ja po ndihmohet edhe prej mensave të Qendrës së Studentëve në Prishtinë dhe të Shërbimit Korrektues
Ushqimi në Forcën e Sigurisë ka qenë kryetemë gjatë raportimit të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të martën.
Deputetët opozitarë kanë thënë se Qeveria është dashur të ketë pasur kujdes për çështjen e ushqimit dhe të ishte e përgatitur që të lidhte kontratë me kompani të besueshme sa i përket furnizimit me ushqim për ushtarët.
“Po flasim për një çështje që ju keni qenë në njohuri se kur skadon kontrata e operatorit ekonomik për të furnizuar me ushqim. Kjo ka qenë një kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur dhe m’i ngrit të gjitha procedurat se kur përfundon ajo kontratë ju të përzgjidhni operatorin më të mirë dhe kualitativ. Gjithmonë duke u bazuar në disa standarde, veçanti në ato standarde të NATO-s”, ka thënë deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni.
E ministri Maqedonci e ka pranuar se FSK-ja po përballet me situatë të vështirë sa i përket ushqimit dhe se po ndihmohet prej mensave si ajo e Qendrës së Studentëve në Prishtinë dhe ajo e Shërbimit Korrektues.
Ai ka thënë se po punohet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje.
“Normalisht ne jemi në një situatë pak më të vështirë këtë periudhë për shkak të stagnimit të kësaj çështjeje të kontratës dhe tranzicionit të shërbimit të ushqimit me kapacitete vetanake, duke shfrytëzuar furnizimin me autoritetin qendror të prokurimit. Arsyet që kanë ardhur deri këtu janë kryesisht për shkak të tejzgjatjes në aspektin e viteve të problemit të furnizimit të qëndrueshëm të FSK-së. Prej vitit 2015 deri në vitin 2024 për dhjetë herë radhazi janë nënshkruar kontrata ekstrem emergjente për çështjen e ushqimit. Kjo ka bërë që ne të vlerësojmë që duhet të shikojmë dhe analizojmë këtë aspekt dhe kemi ardhur në përfundim se ne duhet të bëjmë një zgjidhje afatgjate për çështjen e ushqimit”, ka thënë ministri Maqedonci.
Çështja e ushqimit në FSK për ditë të tëra është diskutuar në rrjete sociale, ku janë shpërndarë foto të ushqimit “të vakët”.
Janë bërë edhe krahasime se si ishte dikur dhe si është tash.
Në këtë raportim janë prezantuar edhe shifrat e rekrutimeve dhe të largimit të ushtarëve.
Kolonelja Arife Halili, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së burimeve njerëzore në FSK, ka thënë se 119 pjesëtarë janë larguar që nga fillimi i vitit 2024.
Pjesa më e madhe e atyre që e lënë FSK-në, siç ka thënë ajo, e bënë këtë për të punuar jashtë vendit.
“Në bazë të deklarimeve të vetë pjesëtarëve që kanë bërë për ndërprerje të shërbimit, mbi 80 për qind janë migrim jashtë vendit dhe bashkim familjar. Ka një numër prej tyre që nuk duan të tregojnë dhe thonë vetëm për shkaqe personale. Ka edhe shkaqe të tjera që është një përqindje shumë e vogël që janë specifikuar në kërkesat e tyre. Në këtë numër 119 janë edhe ata që kanë bërë kërkesa dhe ndërprenë shërbimin në fund të tetorit apo fillim të nëntorit”, ka thënë Halili.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes interesimi për të qenë pjesë e FSK-së është megjithatë i madh meqë për 300 pozita të reja të rekrutimit kanë aplikuar 1.555 persona.