LAJMET E MBRËMJES

Rritet siguria përreth objekteve të shërbimeve kritike

Në Këshillin e Sigurisë që u mbajt në orët e para të mëngjesit janë aprovuar masa emergjente shtesë, në kuadër të së cilave, Policia e FSK-ja janë autorizuar që të garantojnë sigurinë përreth objekteve të shërbimeve kritike

Sulmi në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc të fshatit Varagë në Zubin-Potok ka mbledhur në orët e para të mëngjesit Këshillin e Sigurisë të Kosovës, me ç’rast janë aprovuar masat emergjente shtesë për tejkalimin e situatës.

Anëtarët e Këshillit konstatuan se siguria përreth objekteve të shërbimeve kritike duhet të rritet, e për këtë u është dhënë autorizim për aktivizim Policisë dhe Forcës së Sigurisë.

“Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit pas mbledhjes së Këshillit u theksua se dyshimet janë që sulmi u orkestrua nga Serbia dhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Kjo, sipas Kryeministrisë, është bërë nëpërmjet organizatave që Qeveria i pati shpallur terroriste – “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” – si dhe përgjegjësi për sulmin e vjetëm në Banjskë, Milan Radoiçiq, që po ushtrohen në Serbi për sulme të tilla profesioniste.

Në mbledhje, kryeministri tha se institucionet janë angazhuar në maksimumin e tyre për t’i zbutur pasojat dhe për të siguruar normalitet në furnizim me ujë e rrymë.

“Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha”, thuhet në komunikatë.

Këshilli e ndërlidhi sulmin e 29 nëntorit në sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike me ato të Rusisë në Ukrainë që lanë shtëpi të shumta pa rrymë në kohë dimri.