LAJMET E MBRËMJES

Fitore Pacolli padit Ramën për shpifje në lidhje me pezullimin e punimeve në rrugën “A”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka paditur për shpifje kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe nënkryetaren Doarsa Kica-Xhelili. Pacolli tha se këtë padi e ka bërë pas dëmtimit të imazhit dhe fyerjeve që i kanë bërë për pezullimin e punimeve në rrugën ‘A’.

Pas pauzës së drekës e mori rrugën për në Pallatin e Drejtësisë.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, gjatë dorëzoi padi civile në Gjykatën Themelore.

Ajo për fyerje, shpifje dhe dëmtim të imazhit paditi kryetarin e Prishtinës dhe atë të LDK-së, si dhe deputeten e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili.

Sipas Pacollit, që të tre duke shfrytëzuar vendimin e Gjykatës Komerciale, për pezullimin e punimeve në rrugën ‘A’, kanë shpifur për të, pa fakte.

“Unë sot jam këtu që të dorëzojë një padi, kundër kryetarit të komnës së Prishtinës z. Përparim Rama, kundër kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kundër nënkryetares së kësaj partie dhe deputetes znj. Doarsa Kica- Xhelili, në lidhje me rastin e rrugës ‘A’, ku ata e shfrytëzojnë vendimin e Gjykatës Komerciale, shpifin dhe fyejnë dhe denigrojnë personalitetin tim duke më akuzuar për diçka që nuk është dhe nuk kanë fakte”, tha Pacolli.

Përparim Rama në muajin tetor, kur edhe u pezulluan punimet në rrugën ‘A’, duke e quajtur vendim politik, pati akuzuar motrën e Fitore Pacollit, Vlora Pacollin e cila është gjyqtare në Gjykatën Komerciale.

E pyetur se si e ka pritur akuzën e kryetarit Rama për motrën e saj, ajo u shpreh se të dyja bëjnë punën e tyre.

“Motra ime ka punën e vetë, unë kam punën time. Të dyja bëjmë punën tonë profesionale pavarësisht asaj që ne jemi motra biologjike. Ata e kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe më kanë akuzuar pa bazë dhe padrejtësisht që jam motra e gjyqtares Vlora Pacolli”, tha Pacolli.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Komuna e Prishtinës, mirëpo të njëjtët gjatë ditës nuk kanë qenë të qasshëm.

Gjykata Komerciale pati vendosur për pezullim të punimeve në këtë rrugë. Sipas kësaj gjykate, pronari i kompanisë që është kontraktuar për ndërtimin e rrugës, “Sallahu Group”, Naim Sallahu, ishte i dyshuar për veprën penale: falsifikim i dokumenteve.

Në muajin nëntor kanë rinisur punimet në këtë rrugë, pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e rrëzoi vendimin paraprak.