LAJMET E MBRËMJES

Filiqi akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e mjekut Hafir Shala

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, ka nisur gjykimi në mungesë i të pandehurit Slavisha Filiq lidhur me rrëmbimin e mjekut të UÇK-së, Hafir Shala. Prokurori special, Atdhe Dema, në fjalën hyrëse, tha se i pandehuri me ta ndalur Shalën e fut në veturën e tij dhe e çon në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku u keqtrajtua e më pas u zhduk

Njëzet e gjashtë vjet pas zhdukjes së Hafir Shalës dhe më shumë se një vit pas ngritjes së aktakuzës, të hënën ka nisur gjykimi në mungesë në rastin ku Slavisha Filiq akuzohet për rrëmbim, që rezultoi edhe me zhdukjen e mjekut shqiptar.

Prokurori special, Atdhe Dema, tha para Gjykatës Themelore në Prishtinë se Shala u ndalua më 10 prill 1998 në Sllatinë të Fushë-Kosovës. 

“Në cilësinë e personit zyrtar, Slavisha Filiq, në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të këtij shërbimi, të cilët deri në ditën e sotme janë të panjohur dhe të paarritshëm për institucionet tona të sigurisë, më 10 prill 1998, derisa viktima Hafir Shala, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë, së bashku me dy persona të tjerë, përkatësisht Hetem Sinanin dhe Shaban Nezirajn, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër Aeroportit të Prishtinës, të njëjtët janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të policisë serbe dhe të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri Slavisha Filiq në atë mënyrë që pasi i kishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë”, ka treguar Dema versionin e ngjarjes sipas Prokurorisë. 

Prokurori Dema u shpreh se i akuzuari Filiq, që është në kërkim, bashkë me dy persona të panjohur tash për tash, pasi e ndaluan Shalën, e dërguan në një vend tjetër ku iu nënshtrua keqtrajtimit. 

“Pasi dr. Hafir Shala ishte marrë nga i pandehuri Slavisha Filiq dhe nga dy të dyshuarit e tjerë, të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën e markës ‘Opel’ e tipit ‘Frontera’ me targa të regjistrimit PR-986-16, të cilën e drejtonte i pandehuri Slavisha Filiq dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë. Fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe nga ajo ditë për fatit e tij nuk dihet asgjë”, ka thënë prokurori Dema.   

Avokatja e të akuzuarit Filiq, Milka Milosavleviq, tha se aktakuza është e mbështetur në thashetheme dhe se Gjykata nuk duhet t’i marrë në shqyrtim si prova dëshmitë e Bislim Peçukut, Shaban Shalës, Sheremet Shalës e Isuf Shalës, të cilët më nuk janë gjallë. 

Prezentë gjatë leximit të aktakuzës dhe paraqitjes së fjalëve hyrëse ishin edhe familjarët e heroit Shala.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë për këtë rast në shtatorin e vitit të kaluar. Seanca e radhës u caktua për 3 dhjetor. 

Emrin e mjekut që ndihmoi popullatën civile shqiptare dhe ushtarët e UÇK-së sot e mban Qendra e Mjekësisë Familjare në Drenas. 

Më 2016, presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi, pati ndarë urdhrin “Hero i Kosovës” për Shalën.