LAJMET E MBRËMJES

Festa nis gjithmonë në Prekaz

Kompleksi Memorial "Adem Jashari"

Në përvjetorin e 17-të të pavarësisë, qytetarë të shumtë dhe përfaqësues të institucioneve me vizita dhe homazhe te Kompleksi Memorial në Prekaz nderuan sakrificën e familjes Jashari. Me plisa në kokë, flamuj në duar dhe emocione të përziera mes krenarisë dhe dhimbjes, ata kujtuan dëshmorët dhe kontributin e tyre për shtetin e Kosovës

Si çdo 17 shkurt, edhe në këtë përvjetor të shtetësisë së Kosovës, Prekazi ishte pikënisje e shënimit të kësaj date dhe e kujtimit për sakrificën e familjes Jashari. 

Qytetarë të të gjitha moshave, me plisa, flamuj e uniforma të UÇK-së, të hënën në përvjetorin e 17 të pavarësisë bënë homazhe e vizituan kompleksin memorial “Adem Jashari”. Aty nuk munguan as përfaqësues institucionalë e politikë.

Herët në mëngjes, ende pa u hequr bora e rënë gjatë natës, për nderime në Prekaz shkuan eprorët e Forcës së Sigurisë. E pak orë më vonë aty mbërritën presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti. Pas nderimit që u bënë pjesëtarëve të rënë të familjes Jashari, ata nuk u prononcuan për media.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi homazhe bëri me bashkëpartiak. Nga aty, pavarësinë ai ua uroi ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare, që aktualisht mbahen në paraburgim në Hagë. 

“Secili prej nesh në këtë ditë duhet që të frymëzohet, zotohet për të punuar më shumë për vendin tonë dhe për ta bërë Kosovën më të mirë. Unë shfrytëzoj rastin që para se gjithash këtë ditë t’ua uroj miqve tanë, liderëve dhe udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë Krasniqi.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, nga Prekazi përpos urime, dërgoi edhe një mesazh politik. 

“Duhet të jemi të rreshtuar që ta ruajmë pavarësinë dhe lirinë, gabimet në rreshtim janë rrezik edhe për themelet e shtetit tonë”, është shprehur ai.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, tha se nuk ndihet i gëzuar pa e parë të lirë Hashim Thaçin dhe të tjerët që janë në Hagë.

“Së pari do t’ua uroj familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve por edhe shokët që i kemi në Hagë. Njeriu që ka qenë protagonist, zotëri Thaçi që e ka shpallur pavarësinë, mungon. Ne sot nuk e ndiejmë veten as mirë as të gëzuar duke e pasur parasysh se kush është në burg”, ka uruar Gucati.

Për Shefqet Mehmetajn, veteran i UÇK-së, vizita në Prekaz është pelegrinazh. 

“Kemi ardhur në Mekën e shqiptarëve, ta nderojmë këtë familje për sakrificën që e ka bërë, për gjakun që është derdhur që ne ta gëzojmë lirinë e Kosovës”, ka theksuar Mehmetaj, nga Gllogjani i Deçanit.  

Edhe vizitorë të tjerë shprehën krenari e përulësi për sakrificën e dëshmorëve.

“Uroj që të lirohen ata që janë në Hagë, të vijnë sa më shpejtë sepse pa ta as s’kemi as gëzim në këtë festë. Uroj që të lirohen sa më shpejtë”, ka thënë Hafir Dervisholli nga Fushë Kosova. 

“Shumë vështirë, kanë qenë kohë të vështira por i kemi përballuar e tash jemi ku jemi. Urojmë që zoti të na ndihmoi dhe të mos përsëriten luftërat”, ka theksuar një vizitor.

“Pa këta këtu, ne nuk do e gëzonim as lirinë, as nuk do ishim sot këtu. Kështu që duhet t’u përkulemi gjeneratë pas gjenerate”, ka thënë një qytetar.

Vizitorë Prekazi të hënën pati edhe nga Shqipëria. 

Haki Gërguri nga Fieri tha se gjaku i familjes Jashari nuk duhet të keqpërdoret nga pushtetarët.

"Një njeri që ka luftuar, tërë populli shqiptar në përgjithësi ka kontribuar, qoftë ato nëna që kanë gatuar për ushtarët, ato vëllezër e motra që e kemi një gjak, kontribut quhet ai që e ka luajtur gishtin. Kjo luftë mendoj, Prekazi është djepi i trimave, është djepi i lirisë”, ka thënë ai.

E Dife Vladi nga Vlora, tha se për herë të parë viziton Kompleksin Memorial në Prekaz.

"Ne jemi vëllezër... Në këtë vend vijmë për herë të parë", u shpreh ajo.

Me datat 5,6 dhe 7 mars 1998 forcat serbe sulmuan Prekazin dhe pas tri ditë luftimeve u vranë 58 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe udhëheqësit e UÇK-së, vëllezërit Adem dhe Hamëz Jashari. Kompleksi Memorial në Prekaz në çdo festë kombëtare bëhet qendra e festës, homazheve dhe përkujtimeve.