Drejtoresha e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti, ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci t’i kërkojë falje publike asaj dhe grave të tjera të Krushës për siç tha “njollosje të emrit” nga shpifjet. Peci në një status në Facebook, ditë më parë tha se “në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë ka paditur Fahrie Hotin, përkatësisht Kooperativën Bujqësore "Krusha"
Fahrije Hoti, udhëheqëse e kooperativës bujqësore “Krusha”, pret që ministri i Bujqësisë, Faton Peci t’i kërkojë falje asaj dhe grave të Krushës, lidhur me postimin e publikuar në Facebook, ku pretendon se ministria që udhëheq, në vitin 2017 ka paditur Fahrije Hotin dhe kooperativën “Krusha”.
Hoti, në një konferencë për media të hënën në Krushë, u shpreh se ajo asnjëherë nuk është paditur nga ndonjë ministri, por as nuk ka marrë kurrfarë mbështetje nga shteti që nga viti 2015, pavarësisht aplikimeve.
“Ministri Peci më ka përmendur se zonja Fahrije Hoti është e paditur në Gjykatë. Përkundrazi, unë nuk kam marrë një ftesë të tillë, asnjëherë nuk më është adresuar një ftesë që unë jam e paditur për shkak se nuk i kam kthyer mjetet që më janë ekzekutuar në vitet 2015-2017. Unë nuk e di ku e ka gjetur atë dosje dhe kërkoj nga ministri të kërkoj falje për këtë njollosje”, tha Hoti.
Sipas saj, reagimi nuk ka të bëjë me faktin që projekti i kooperativës që udhëheq është refuzuar.
“Nuk do të thotë të bëhet kaq e madhe pse Fahrija është refuzuar, kur unë nuk kam çuar pluhur, nuk kam bërë zhurmë pse jam refuzuar e të tjerët kanë përfituar. Përkundër, e kam pranuar me shumë qetësi, kam vazhduar punën. Por, pse ka ardhur deri në këtë situatë që të etiketohet emrin im, që të shantazhohem, nuk e kuptoj”, tha ajo.
Peci para disa ditësh u akuzua se ministria që drejton, një projekt prej 100 mijë eurosh nuk ia dha Koorporatës “Krusha”, por një kompanie tjetër që e udhëheq vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Ky pretendim është hedhur poshtë nga ministri dhe deputetja.