Rreth 89% e nxënësve që kanë mbajtur testin PISA kanë qenë të informuar për pjesëmarrjen, por jo edhe për përmbajtjen e testimit dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre. Instituti “EdGuard” ka publikuar një raport përmes të cilit janë anketuar 280 nxënës nga 7000 sa kanë qenë pjesëmarrës në test, me qëllim që të shihet pikëpamja apo gjykimi nga ana e tyre.
Rreth 66 për qind e nxënësve që kanë qenë pjesëmarrës në testin PISA janë deklaruar se pyetjet në testim kanë qenë konfuze.
Instituti “EdGuard” ka publikuar raportin “Performanca e nxënësve kosovarë në testin PISA”, ku nga 7000 pjesëmarrës që kanë qenë në testim janë anketuar 280 nxënës.
Hulumtimi ka pasur për qëllim gjykimin e nxënësve për testin që kanë mbajtur.
Rinor Qehaja, drejtuesi i Institutit, tha se 89% e nxënësve kanë thënë se kanë qenë të informuar për pjesëmarrjen, por, sipas tij, jo për përmbajtjen e testimit.
“Jo krejt nxënësit e kanë marrë me seriozitet. Shumë prej tyre e kanë vlerësuar vetëm një testim pa nota, që nuk ka ndonjë ndikim te ta. Dhe meqenëse nuk ka ndikim te vlerësimi i tyre personal, atëherë kanë qenë më të relaksuar dhe për rrjedhojë edhe përfshirja e tyre ka qenë minimale”, tha ai.
Betim Sylejmani, drejtor në gjimnazin “Sami Frashëri”, theksoi se shteti vetëm ka vendosur të jetë pjesë e testit PISA dhe nuk ka bërë asgjë më shumë në drejtim të rezultateve më të mira.
“Nëse vendoset prapë me marrë pjesë në një test të tillë, atëherë prej tash shteti duhet të krijojë një grup punues, në secilën komunë duhet të jetë një koordinator veç për këtë punë, në secilën shkollë duhet të jetë një koordinator veç për këtë punë”, theksoi ai.
Një mësimdhënës, i cili ka qenë dhe administrator gjatë mbajtjes së testit PISA, u shpreh se shteti nuk i plotëson as kushtet e mbajtjes së testimit.
Sipas tij, Kosova nuk ka as qendra të testimit.
“Testi këtë herë është mbajtur në formë digjitale me USB edhe ka pasë probleme të natyrave të ndryshme, për shkak të pajisjeve të vjetruara janë ristartu kompjuterët. Ka pasë raste kur nxënësit kanë kërku me i liru se nuk ka pasë buss me shku se ka qenë në periferi”, tha mësimdhënësi në shkollën
“Elena Gjika”, Betim Sherifi.
Sipas rezultateve të publikuara javën e kaluar, 15-vjeçarët nga Kosova janë ranguar ndër vendet e fundit nga mesi i 80 shteteve pjesëmarrëse në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.