Pas caktimit të paraburgimit për të dyshuarin Dragisha Viqentijeviq të dielën, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar edhe vëllait të tij, Jovan Viqentijeviq, 30 ditë paraburgim me dyshimin për rrezikim të rendit kushtetues lidhur me sulmin ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”. Gjykata konstatoi se po të lihet që të mbrohet në liri, i dyshuari mund të ikë në Serbi apo të ndikojë në prova apo dëshmitarë
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën prej 30 ditësh paraburgim Jovan Viqentijeviqit, i dyshuar për veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues” lidhur me veprat penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Gjykata ka konstatuar se i pandehuri, i cili u arrestua lidhur me sulmin terrorist në kanalin e “Ibër-Lepencit”, mund të ikë e edhe ta dëmtojë hetimin në qoftë se lihet i lirë.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri J.V. lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti po ashtu është edhe shtetas i Serbisë dhe mund lehtë të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës. “Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund t’i asgjësojë, t’i fshehë, t’i ndryshojë ose t’i falsifikojë provat e veprave penale, mund të ndikojë në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose mund të kryejë sërish vepra të tjera penale, në rrethana të njëjta ose më të rënda”.
Të hënën policia njoftoi se këtij të dyshuari iu gjetën katër granata dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës automatike AK-47, një karikator i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese dhe uniforma ushtarake.
E mbrojtësi që e përfaqësoi Jovan Viqentijeviqin, Nebojsha Vllajiq, tha se hetimi i deritanishëm i Prokurorisë Speciale nuk ka nxjerrë prova që e inkriminojnë të mbrojturin e tij për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit dhe se ai ka alibi që tregon se nuk ka qenë në vendin ku ka ndodhur sulmi terrorist.
“Fakti që ka pasur municion nuk është kontestues, por e gjitha ajo që është gjetur nuk ka kurrfarë lidhjeje me shpërthimin. Nuk i është gjetur kurrfarë eksplozivi, asnjë shkrepëse, asnjë detononator, kështu që absolutisht as ato që janë gjetur nuk e dëshmojnë atë që e pretendon prokurori i Shtetit”, ka thënë avokati Vllajiq.
Themelorja e Prishtinës i ka udhëzuar palët për të drejtën e ankesës në Apel ndaj vendimit për paraburgim brenda 30 ditësh.
Jovan Viqentijeviq është i vëllai i Dragisha Viqentijeviq, të cili po ashtu gjendet nën masën e paraburgimit me dyshimin se ka kryer veprën penale bashkë me të vëllain me 29 nëntor në kanalin e “Ibër-Lepencit” në Varagë të Zubin-Potokut.
Kësisoj, vetëm 2 nga 10 personat e arrestuar nga policia nën dyshimin për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të “Ibër Lepencit” janë nën masa të sigurisë.
Sipas Prokurorisë Speciale, arrestimet u kryen për vepra të ndryshme penale. Ministria e Punëve të Brendshme e as Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë informata për ecurinë e procesit ndaj tyre.
Pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e “Ibër Lepencit”, përmes të cilit furnizohen me ujë disa qytete dhe termocentrali “Kosova B”, policia kreu bastisje në 10 lokacione në veri, duke konfiskuar numër të madh të armëve, municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.