LAJMET E MBRËMJES

Dy të mitur dënohen për vrasjen e Lulzim Fejzullahut

Lulzim Fejzullahu

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar të mërkurën dy të mitur në rigjykimin e rastit për vrasjen e rëndë të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu, në janar të këtij viti në Podujevë. Avokati i familjes Fejzullahu tha se dënimet shkojnë te maksimumi ligjor, megjithatë për njërin e ka lënë të hapur mundësinë e ankesës

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, i ka shpallur sërish fajtorë dy të miturit me inicialet E. K. dhe A. A. për vrasje në bashkëkryerje të 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu, më 14 janar të këtij viti në Podujevë. 

Ky rast ishte kthyer në rigjykim prej Gjykatës së Apelit, derisa dënimet janë të njëjta me ato të aktgjykimit të parë të Themelores në Prishtinë. 

I akuzuari me inicialet E. K. u dënua me 10 vjet burgim, kurse ai me inicialet A. A. me 9 vjet burgim.
Tomë Gashi, avokat i familjes së viktimës, tha se dënimi shkon te maksimumi ligjor. Megjithatë e la të hapur mundësinë e ankesës ndaj shkallës së dënimit për njërin prej të miturve.

“Gjithçka i ka paraprirë një sulmi të mëhershëm dhe gjykata, në prizmin tim, ka vendosur drejt. Sa i përket një të mituri, i cili është shpallur përgjegjës dhe i është shqiptuar dënimi në kohëzgjatje prej nëntë vjetësh, besoj se si përfaqësues juridik i palës së dëmtuar, do të paraqes ankesë. Këtë mund ta bëjë Prokuroria e Shtetit. Besojmë se vendimi ka qenë i drejtë, ndërsa sa i përket maksimumit të dënimeve, duhet ta dini se maksimumi është në kohëzgjatje prej 10 vjetësh”, ka thënë Gashi. 

Themelorja, sipas tij, i ka marrë parasysh vërejtjet e Apelit, pasi siç u shpreh në një konferencë për media, ka bërë gabim bazik në procesin e parë gjyqësor. 

“Njëri prej anëtarëve të trupit gjykues që ka vendosur në maj të këtij viti, paraprakisht ka qenë si gjyqtar në procedurën paraprake që i bie se thjesht këto janë ABC-ja e drejtësisë”, ka thënë Gashi.

Sipas aktakuzës, 18-vjeçari Fejzullahu u rrah brutalisht më 14 janar 2024 në Podujevë, derisa një javë më vonë vdiq në QKUK.

Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj dy të miturve. Policia fillimisht e pati raportuar rastin si vrasje në tentativë dhe therje me thikë, por në Emergjencën e QKUK-së e patën konstatuar vdekjen e tij si pasojë e lëndimeve në kokë, prej goditjeve me shkop bejsbolli.

Meqë të akuzuarit ishin të mitur, si procedura ashtu edhe shpallja e aktgjykimit ka qenë e mbyllur për publikun.