LAJMET E MBRËMJES

Dy të akuzuarit për rënien e kulmit të Komunës së Prishtinës pranojnë fajësinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe dy të akuzuarit, Ylber Jashari dhe Bekim Baftjari, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë për rastin e rënies së kulmit të objektit komunal në lagjen “Arbëria”, me ç’rast ishte lënduar rëndë një 23-vjeçare. Në marrëveshje, pos dëmshpërblimit, përfshihet edhe vuajtja e burgimit

36 mijë euro të fituara kundërligjshëm do t’i kthehen buxhetit të Prishtinës, në rast se Gjykata pranon marrëveshjen e Prokurorisë Themelore me zyrtarin komunal Ylber Jashari si dhe Bekim Baftjarajn, përfaqësues i kompanisë punëkryese për rikonstruimin e kulmit të objektit të ri të Komunës.

Prokuroria ka njoftuar të hënën për ngritje të aktakuzës, por edhe për marrëveshje për pranimin e fajësisë nga dy të pandehurit.

Sipas organit të akuzës, Jashari si menaxher i kontratës ka raportuar rrejshëm se janë përfunduar të gjitha punimet me çka ka kryer veprën penale: keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës, edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

E Baftjaraj, i akuzuar për veprën penale: Punime Ndërtimore të Kundërligjshme, sipas Prokurorisë, nuk i ka kryer punët e parapara me kontratë.

“Ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të kontratës  ka kryer punë të tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, të kontratës”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit, Kujtim Munishi, për KOHËN ka thënë se në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, përfshihet edhe dënimi me burgim.

Në janar të vitit të shkuar, një pjesë e saporinovuar e kulmit të objektit të Komunës në lagjen “Arbëria”, u rrëzua dhe lëndoi rëndë një 23-vjeçare.